Agim Sulejmani është 68 vjeç dhe pasi ka marrë dozën eparë të vaksinës kineze, duhej të merrte injeksionin e dytë më 15 Maj.

Por pavarësisht kalimit të afatit ai sorollatet çdo ditë në çadrat e vaksinimit, në kërkim të marrjes së dozës së dytë.

“U bënë 8 ditë që më ka kaluar data. Sot të paktën janë vënë karriget se më përpara na linin jashtë. Pas datës 25 u pre çdo gjë”

Të moshuar të tjerë shprehin indinjatën për situatën e krijuar me vaksinën kineze.

Mungesa e informacionit nga ana e personelit mjekësor, sipas tyre është e patolerueshme.

Mes të moshuarve ka dhe persona me sëmundje bashkëshoqëruese që prej gati një jave janë në pritje të vaksinimit me dozën e dytë.

“Bëjeni publike që të dalë një përfaqësues I shëndetësisë e të na tregojë, ose në tv ose këtu. Të mos vijmë këtu. Hajde sot, hajde nesër. Kam ardhur 4 herë, nuk dimë asgjë” thonë qytetarët.

Injektimi i dozës së dytë të coronavac vijon me orar të reduktuar prej gati një jave për shkak të sasisë së limituar të flakonëve që kanë mbetur gjendje si pasojë e ndërprerjes së furnizimit nga kompania turke.

Kjo e fundit ka njoftuar qeverinë shqiptare se produkti kinez ka përfunduar dhe mund të ofrojë vetëm paketimin turk të vaksinës anti covid por furnizimi ende nuk ka mbërritur në Shqipëri.