Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nga dita e nesërme fillon turneun e ri evropian në disa metropole të rëndësishme evropiane, si: Berlin, Kopenhagë dhe Stokholm, si pjesë e aktiviteteve të zgjeruara diplomatike për aktualizimin e dosjes evropiane të vendit para vendeve anëtare në BE.

Që nesër, siç kumtoi MPJ-ja, Osmani është për vizitë në Republikën Federale në takime me Ministrin e Punëve të Jashtme, Hajko Mas, si dhe Ministrin Shtetëror të angazhuar për Europë, Mihael Roth. Në kuadër të kësaj vizite, Osmani do të realizojë takime edhe me Uve Korsepius, këshilltar për BE në zyren e Kancellares Merkel, si dhe me shumë përfaqësues të grupacioneve politike dhe Komisioneve në kuadër të vizitës së Bundestagut gjerman.

Nga Berlini, Osmani të martën (4 maj) direkt udhëton për Kopenhagë, në takim me homologun dhe nikoqirin e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Jepe Kofod. Turneu diplomatik i Osmanit vazhdon me vizitë pune në Stokholm (5 maj), ku do të pranohet nga nikoqiri i tij, Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, An Linde.

Gjatë ditës është paraparë që Osmani të realizoj takim edhe në Parlamentin suedez, Riksdag, ku do të ketë takime me zëvendësen e parë dhe të dytë- kryeparlamentare Lota Fornave dhe Kirsten Lundgren. Në Agjendën e Ministrit në kuadër të vizitës në Suedi janë edhe takim me Ana Sandstrom, Këshilltare për BE e Kryeministrit Loven, si dhe Sekretarja shtetërore e angazhuar për çështje evropiane, Paula Olovson.

Turneu diplomatik i Osmanit vijon në periudhën e aktivitetit diplomatik të përforcuar, në kontekst të integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut. Përskaj raporteve bilaterale, tema qendrore e takimeve do të jetë dosja evropiane e vendit dhe sigurimi i mbështetjes me qëllim të qartë, zbatimin e vendimit të Këshillit të BE-së nga marsi i vitit të kaluar për nisjen e bisedimeve, përmes miratimit të Kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës ndërqeveritare.