Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani vizitën e punës në Republikën Federale të Gjermanisë sot e nisi me takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Hajko Mas.

Në takim ishin hapur tema lidhur me integrimet evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe aktualitetet e fundit, në aspekt rajonal. Fokusi kryesor i takimit ishte vënë në rrumbullakimin e qëllimit tonë strategjik, anëtarësimi në BE, e në këtë kontekst është diskutuar edhe për ambiciet e iniciativave rajonale siç është Procesi i Berlinit. Osmani e informoi Mas-in edhe për reformat për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, me çka u bë me dije se kjo betejë do të mbetet e paanshme dhe joselektive dhe do të bëhet gjithçka që të mbahen edhe këtë viti notat e larta të cilat Maqedonia e Veriut në kontinuitet i merr nga Komisioni Evropian.

Duke diskutuar për mundësitë e zbatimit të vendimit për nisjen e negociatave, Osmani theksoi:

“Samitet e BE-së në qershor ofrojnë shansin e papërsëritshëm për ta bërë hapin e duhur: operacionalizimin e vendimit për fillimin e bisedimeve, përmes miratimit të Kornizës negociuese dhe mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare si nisje formale e bisedimeve. Ky hap, medoemos do të inkurajojë të gjithë rajonin dhe do të forcojë kredibilitetin e procesit euro-integrues”.

Me këtë rast, Osmani shprehi mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të Gjermanisë, veçanërisht për angazhimin personal të Ministrit Mas, për suksesin e deritanishëm në rrugën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në takim, bashkëbiseduesit biseduan edhe për zhvillimin e përgjithshëm të raporteve bilaterale, bashkëpunimin ekonomik, gjendjen lidhur me pandeminë Covid-19, çështjet aktuale në fushën e politikës ndërkombëtare, si dhe bashkëpunimin në organizatat e shumta multilaterale. Në këtë drejtim, Osmani inicoi procedurë për krijimin e partneritetit strategjik në mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, që do të ishte e rëndësisë së veçantë për përshpejtimin dhe thellimin jo vetëm të proceseve integruese, por edhe të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve. Në kontekst të mundësive që dalin nga ky lloj i partneritetit, Osmani potencoi:

“Konfirmim për bashkëpunim të suksesshëm bilateral është fakti që Gjermania është partner tregtar numër një për vendin tonë. Mbi 200 kompani nga Gjermania janë partnerë të kompanive tona, ku punojnë mbi 20 mijë qytetarë tanë. Shpesh përsëris, sepse personalisht mendoj se biznesi duhet t’i udhëheqë raportet diplomatike midis vendeve dhe prandaj dëshiroj më shumë biznese gjermane te ne”.

Vizita e Ministrit Osmani në Berlin Vazhdon me takimin me Sekretarin shtetëror të angazhuar për Evropë, Mihael Roth. Në kuadër të kësaj vizite, Osmani do të takohet edhe me Uve Korsepius, Këshilltar për BE i Kancelares Merkel, si dhe me shumë përfaqësues të grupacioneve dhe komisioneve politike në kuadër të vizitës së Bundestagut gjerman.

Deklarata e MPJ Bujar Osmani nga Konferenca për shtyp në Berlin: https://we.tl/t-OWXI9sOrws