Dy palestinezë të tjerë humbën jetën në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 221, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, numri i viktimave përfshin 63 fëmijë dhe 36 gra.

Po ashtu numri i të plagosurve nga sulmet izraelite është rritur në 1.507.

Në sulme, një ndërtesë në Rafah, ku ishte e vendosur një shoqatë humanitare, u shënjestrua nga bombardimet izraelite.

Forcat izraelite në sulmet ajrore po ashtu shënjestruan infrastrukturën dhe tokën palestineze si dhe nga deti qytetin Khan Yunus.

Një shtëpi në Beiut Hanun po ashtu u dëmtua nga sulmet.

Avionët luftarakë izraelitë sulmuan një fushë të zbrazur në kampin e refugjatëve në Al-Shati në perëndim të Gazës dhe një post të grupeve të rezistencës palestineze në rrethin Cibaliya.

Tensionet e fundit që filluan në Kudsin Lindor gjatë muajit të Ramazanit u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite mbi besimtarët muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe në lagjen Sheikh Jarrah.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku dhe ndodhet Al-Aksa, në vitin 1967 gjatë luftës arabo-izraelite. Ajo aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.