Nuk do t’i nënshtrohemi asnjë bllokade. Shëndetësia është një nga resorët kyç në çdo vend dhe ne do të vazhdojmë ta trajtojmë me respektin e duhur, porositi sot lideri i LSDM-së dhe kryeministër, Zoran Zaev në Kongresin e 26-të të partisë, i cili për shkak të pandemisë mbahet onllajn.

“Përderisa ne ndihmuam të mbrohet shëndeti dhe të shpëtohen jetë njerëzore, VMRO-DPMNE e minon sistemin shëndetësor. Përderisa ne ndihmuam të shpëtohen vendet e punës, të sigurohet mbështetje për qytetarët dhe ndërmarrjet, ata e bllokuan Kuvendin”, tha Zaev në fjalimin e tij.

Paralajmëroi se në kryesinë e re të partisë do të ketë më shumë punonjës shëndetësorë, ndërsa në nivel të shtetit do të vazhdojnë investimet në sektorin e shëndetësisë, si dhe trendi I rritjes së rrogave të punonjësve shëndetësorë të cilët deri në vitin 2024 pritet të jenë më të larta për 40 për qind.

Vlerësoi se me masa në kohë të duhur është reaguar edhe në pjesën e pandemisë dhe është mire që po ulet numri i rasteve të reja, ndërsa në rrjedhë është edhe imunizimi masiv i popullatës. Pandemia, siç theksoi, ka shkaktuar pasoja serioze edhe ndaj ekonomisë, por me masat efikase dhe me kohë të ndërmarra nga ana e Qeverisë, janë zbutur pasojat ndaj rrjedhave ekonomike në vend.

Theksoi se është realizuar edhe koncepti “Paratë sërish tek qytetarët”, që është suksesi i parë i LSDM-së, por edhe dallimi i parë thelbësor mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Paratë, siç tha, janë kahëzuar drejt projekteve për qytetarët, e jo drejt barokut dhe përmendoreve.

Në pjesën e drejtësisë dhe sigurisë juridike, theksoi se në periudhën e kaluar i janë përkushtuar ndërtimit të shtetit të fuqishëm juridik dhe të pavarur i cili reflekton sundim të së drejtës njëjtë për të gjithë.