Kujdes: Imazhe jo të këndshme pas tekstit të këtij artikulli!
Mjekët në Indi i kanë këshilluar njerëzit atje që të mos e lyejnë veten me bajga të lopës në përpjekje për ta larguar virusin korona.

Zyrtarët mjekësorë thanë se nuk ka asnjë provë shkencore prapa kësaj praktike dhe paralajmëruan se kjo rrezikon përhapjen e sëmundjeve të tjera.

Kjo vjen pasi emergjenca shëndetësore po bëhet gjithnjë e më shumë e dëshpëruar, me 22.66 milionë raste të COVID-19 dhe mbi 246 mijë vdekje të raportuara deri më tani – megjithëse ekspertët thonë se shifrat e vërteta mund të jenë rreth pesë deri në 10 herë më të larta.

Pacientët në gjithë Indinë po përballen me mungesa të mëdha të shtretërve spitalorë, oksigjenit dhe ilaçeve, duke lënë shumicën të vdesin për shkak të mungesës së trajtimit.

Në shtetin perëndimor të Gujarat, disa njerëz u janë drejtuar strehëzave të lopëve për të mbuluar trupat e tyre në bajgë dhe urinë një herë në javë, me shpresën se do të rrisë imunitetin e tyre ose do t’i ndihmojë që të shërohen nga virusi.

Lopët konsiderohen të shenjta në Indi. Kjo kafshë është simbol i jetës dhe tokës në besimin hindu. Për shekuj me radhë, ata kanë përdorur bajgë lope për të pastruar shtëpitë e tyre dhe për ritualët e lutjes, duke besuar se ajo ka veti terapeutike dhe antiseptike.

Gautam Manilal Borisa, një menaxher i asociuar në një kompani farmaceutike, pretendoi se vitin e kaluar praktika e kishte ndihmuar atë të shërohej nga COVID-19.

Ai tha: “Ne shohim.. madje edhe mjekët vinë këtu. Besimi i tyre është se kjo terapi përmirëson imunitetin e tyre dhe mund të drejtohen tek pacientët e tyre pa frikë”.

Borisa që atëherë ka qenë i rregullt në Shree Swaminarayan Gurukul Vishwavidya Pratishthanam, një shkollë e drejtuar nga murgjit Hindu pranë selisë indiane të Zydus Cadila, e cila po zhvillon vaksinën e vet. Teksa njerëzit presin që jashtëqitja dhe urina në trupat e tyre të thahen, ata përqafojnë ose nderojnë lopët në strehimore dhe praktikojnë yoga për të rritur nivelet e energjisë. Përzierja më pas lahet me qumësht ose dhallë.

Mjekët dhe shkencëtarët në të gjithë globin janë deklaruar vazhdimisht kundër trajtimeve alternative ndaj COVID-19, duke thënë se ato shpesh mund të çojnë në një ndjenjë false të sigurisë dhe të komplikojnë problemet shëndetësore.

Dr. Ja Jayalal, drejtor shtetëror në Shoqatën Mjekësore Indiane, tha se nuk ka asnjë provë konkrete shkencore që bajga e lopës ose urina funksionojnë në rritjen e imunitetit kundër koronavirusit, por ajo bazohet tërësisht në besim.

“Ekzistojnë gjithashtu rreziqe shëndetësore të përfshira në lyerjen ose konsumimin e këtyre produkteve – sëmundje të tjera mund të përhapen nga kafsha te njerëzit”.

Është gjithashtu frika se kjo praktikë mund të përhapë virusin sepse përfshin njerëz që mblidhen në grupe, megjithëse disa qendra po marrin masa për të shmangur grumbullimet.

Ndërkohë, pacientët me COVID në Indi po diagnostikohen me një infeksion të rrallë dhe vdekjeprurës – “kërpudha të zeza”, në përhapjen e fundit të zymtë të krizës shëndetësore atje.