Militantët e Hamas kanë lëshuar raketa në drejtim të Jerusalemit dhe Izrealit jugor përgjatë orëve të fundit në përgjigje të përplasjeve mes autoriteteve hebreje dhe besimtarëve myslimanë.

Ndonëse çdo vit përgjatë muajit të Ramazanit tensionet janë të shtuara mes komuniteteve, këtë herë ka pasur më shumë përplasje dhe viktima. Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka thënë se 20 palestinezë, duke përfshirë tre fëmijë janë vrarë në zjarrin e lëshuar në kundërpërgjigje të raketave të Hamas.

Sirenat e bombave janë duke u dëgjuar në të gjithë Jerusalemin dhe komunitetet përreth tij. Më herët Hamas ka dhënë një ultimatum nga enklava e saj në Gazë ku i bën thirrje të gjithë forcave të rendit izraelit të tërhiqen menjëherë nga xhamia Al-Aqsa dhe të të mos ndërhyjnë në celebrimet e besimtarëve myslimanë.

Sipas raportimeve të deritanishme janë plagosur më shumë se 300 besimtarë myslimanë në përplasjet me policinë, ndërkohë që nga sulmet me raketa janë plagosur 21 izraelitë.

I ashpër ka qenë në tonet e tij kryeministri Benjamin Netanjahu që nuk ka përdorur gjuhë diplomatike duke thënë: “Izraeli do të përgjigjet me forcë. Nuk do të tolerojmë asnjë sulm mbi kryeqytetin tonë, qytetarët dhe ushtarët tanë. Do të paguani një çmim të shtrenjtë për këtë. Sulmet mbi bazat e Hamas kanë filluar”.