Si në të tërë botën, në Maqedonin e Veriut edhe në Shqipëri, Kosovë, Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe diasporë, besimtarët myslimanë u mblodhën sot nëpër xhamitë kryesore për të falur namazin e Bajramit.

Fitër Bajrami shënon përfundimin e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe është dita e parë e muajit Sheual. Shumica e myslimanëve e festojnë këtë Bajram të paktën 3 ditë.

Bajrami është dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri, mëshirë dhe drejtësi nga shpallja e qiellit, titulli i të cilës është zekati, bamirësia dhe lehtësimi, është dita kur gëzohen fëmijët duke luajtur dhe duke u argëtuar, dita kur gëzohen të varfërit duke iu lehtësuar jeta dhe duke shijuar komoditet, dita kur farefisi takohen në bamirësi dhe kujdes për njëri-tjetrin, dita kur muslimanët bashkohen në falje dhe vizita reciproke, dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë, dita kur shpirti fisnik i harron gabimet e të tjerëve ndaj tij, bashkohet pas ndarjes, pastrohet pas përnjollosjes dhe e përshëndet pas injorimit.

Gjatë muajit të Ramazanit është sadakatul-fitri, lëmosha e obliguar për të dhënë gjatë muajit të Ramazanit. Fitri duhet të jepet para se të falet namazi i Bajramit, e nëse ndonjërit i kalon ajo kohë, atëherë ai sërish obligohet ta japë atë si kompensim.