Të gjithë futbollistët e Kombëtares së Kosovës në Serie A do ta shijojnë në fushë ditën e fundit të sezonit 2020/21 në ligë.

Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Mërgim Vojvoda dhe Samir Ujkani janë titullarë për skuadrat e tyre përkatëse në ditën e fundit të këtij sezoni.

Pothuajse të gjithë prej tyre kanë hasur në vështirë për të gjetur hapësirë në kuadrat e tyre por ata do ta kenë edhe një mundësi tjetër sot t’i tregojnë aftësitë e tyre.

Gennaro Gattuso ia ka besuar vendin e titullarit Rrahmanit për ndeshjen e katërt radhazi, në mungesë në Kalidou Koulibaly, në takimin e Napolit me Hellas Veronën.

Rrahmani do të kërkojë ta mposht ish-skuadrën e vet dhe të kualifikohet në Ligën e Kampionëve me Napolin.

Kjo do të jetë paraqitja e tij e 15-të në Serie A këtë sezon.

Ndërkohë, edhe një mundësi tjetër për Vedat Muriqin, sulmuesin kryesor të Kosovës që ka zhgënjyer për Lazion në sezonin e tij debutues.

Paraqitja e sotme kundër Sassuolos do të jetë e 27-ta për ish-yllin e Fenerbahces këtë sezon në Serie A dhe e katërta radhazi si titullar. 26-vjeçari e shënoi vetëm një gol këtë sezon në ligë.

Ndërkohë, Samir Ujkani do ta bëjë paraqitjen e parë në fanellën e Torinos, e cila e siguroi mbijetesën në Serie A në ndeshjen e parafundit.

Ndeshja kundër Beneventos do të jetë e para për të në fanellën e Torinos.

Përkrah tij do të luajë Mërgim Vojvoda, i cili luajti rol kyç në sigurimin e një vendi në Serie A edhe për një sezon, pasi shënoi dy gola në dy ndeshjet vendimtare në fund të këtij sezoni. Ai kontribuoi edhe me dy asiste në ligë këtë sezon.

Kjo do të jetë paraqitja e 23-të për Vojvodën në sezonin e tij debutues në Serie A.