Ish-kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer se ka marrë shumë telefonata nga përtej Oqeanit, pasi Departamenti i Shtetit vendosi ta shpallë “non grata”, duke e akuzuar për korrupsion.

Në emisionin “Opinion” Berisha tha se miqtë republikanë dhe demokratë i kanë ofruar ndihmë, por u ka thënë që të mos përfshihen.

“Kam kontaktuar. Më kanë thënë do interesohemi. Jo u kam thënë. Unë kam miq dhe shumë të mirë edhe demokratë. Kam kërkuar që të mos përfshihen,” u shpreh ish kryeministri.

I pyetur nëse ka komunikuar me ambasadoren Yuri Kim, Berisha tha se me këtë të fundit ka pasur vetëm një takim kur ka marrë detyrën.

“Me ambasadoren nuk kam takim, vetëm njëherë kur ka ardhur në fillim. Nuk jam unë që merrem me punën e saj,” tha Berisha.

Ish-kryeministri kujtoi edhe takimin e tij me Sekretarin Amerikan, Antony Blinken të cilin do ta padis. Ndërkohë në takimin e vitit 2009, Berisha e kujton zyrtarin amerikan si një person të pashëm dhe me shumë njohuri.

“Me Blinken nuk kam pasur kurrë probleme. Kam pasur një takim të shkëlqyer. Ishte më i ri në atë kohë njeri shumë i pashëm, shumë i përgatitur. Me njohuri jashtëzakonisht preçize për zhvillimet,” tha Berisha.