MASAKRA E TIVARIT

Gjatë kolonizimit të Kosovës në vitet ’30 të shekullit XX, pushteti i Mbretërisë Jugosllave, tokat e shqiptarëve të zonës së Gjakovës dhe të Pejës i zaptonte dhe ua ndante kolonëve malazezë. Në vitin 1941 Fuqitë e Boshtit e pushtuan Jugosllavinë. Një numër i malazezëve u kthyen apo u larguan për në Mal të Zi. Një pjesë e tyre ishin strehuar edhe në Tivar. Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës, në fillim të janarit të vitit 1944, në Konferencën e Bujanit (31.12.1943 – 02.01.1944) mori vendim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Komunistët jugosllavë këtë vendim nuk e njohën. Në fund të dhjetorit të vitit 1944 shpërtheu kryengritja e shqiptarëve në Kosovë kundër pushtetit të Jugosllavisë së re. Kryengritja udhëhiqej prej komiteteve nacionaliste dhe ballistëve që kishin ndikim të madh në popull.
* * *
Një prej aktorëve të kryengritejes shqiptare në Kosovë kundër pushtuesve serbë qe Shaban Polluzha (1871-1945). Ishte komandant i forcave popullore në Kosovë, mbrojës i vendosur i popullit shqiptar. Përkrahës i luftës së popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar. U angazhua për çlirimin e Kosovës nga gjermanët dhe ndihmoi në mobilizimin e të rinjve në rreshtat partizane. Në fillim të vitit 1943, si komandant batalioni i forcave nacionaliste, kryente veprime vetëmbrojtëse në pjesën perëndimore të Kosovës kundër forcave terroriste serbo-çetnike. Në vitet 1944-1945, në krye të forcave popullore u angazhua për zbatimin e Rezolutës së Konferencës së Bujanit. Në këtë periudhë, me pretekstin e çarmatimit masiv dhe të luftës kundër bashkëpunëtorëve të fashizmit, forcat ushtarake serbe, malazeze dhe sllavo-maqedonase, ushtronin dhunë ndaj popullsisë shqiptare. Shaban Polluzha veproi për ta parandaluar dhunën dhe gjenocidin. Me krijimin e Brigadës VII kosovare, formacionet e komanduara nga Shaban Polluzha, që përbënin Brigadën e Drenicës u rreshtuan në këtë njësi dhe ai u caktua zëvendëskomandant. Në janar të vitit 1945 pranoi që brigada të nisej për në frontin e Sremit, në veri të Jugosllavisë. Me largimin nga Kosova të njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të Brigadës VII kosovare filluan represaliet dhe masakrat ndaj popullatës shqiptare. Për ta mbrojtur popullsinë civile, Shaban Polluzha me grupin e forcave që komandonte, u sis për në Drenicë. Ndonëse Komanda e Përgjithshme Jugosllave më 8 shkurt të vitit 1945 vendosi në Kosovë pushtetin ushtarak, Shaban Polluzha organizoi dhe vazhdoi luftën vetëmbrojtëse. Pas luftimesh të përgjakshme, më 21 shkurt 1945 u vra nga forcat ushtarake serbo-malazeze.
* * *
Masakra e Tivarit ka ndodhur në Tivar më 24-27 mars, përkatësisht më 1 prill të vitit 1945 në Tivar, Mali i Zi. Në shënjestër kanë qenë rekrutët e kombësisë shqiptare nga Kosova. Vrasja është kryer me armë zjarri. Sipas vlerësimeve zyrtare jugosllave, në masakrën e Tivarit janë vranë 400 deri 450 vetë, ndërsa sipas vlerësimit të historianëve shqiptarë, bëhet fjalë për 2000 deri 4000 të vrarë. Ka të dhëna sipas të cilave numri i të vrarëve është mbi 4300. Vrasja është kryer me pushkatim masiv apo pogrom. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me një sulm të organizuar ndaj të rinjve shqiptarë të paarmatosur. Krimi është kryer nga Armata Jugosllave, nga Brigada X malazeze, nga Divizioni i 46 serb dhe nga civilët serbë e malazezë në Tivar. Numri i kryerësve të krimit nuk dihet saktë, por duhet të kenë qenë me qindra.
* * *
Masakër e Tivarit është quajtur vrasja masive e një numri të madh të shqiptarëve të Kosovës në Tivar, e kryer nga njësitë e Brigadës X malazeze të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ) në pranverë të viti 1945, d.m.th. në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët e Kosovës të cilit i kishte rekrutuar UNÇJ-ja, për t’i shfrytëzuar në luftën kundër forcave gjermane dhe forcave të tjera të boshtit të cilat në atë kohë kanë qenë duke u tërhequr nga Ballkani.
Prej Prizreni, shqiptarët janë shoqëruar për në Tivar, në tre grupe të ndryshme. Pothuajse të gjithë pjesëtarët e grupit të dytë, të cilët nëpër Shqipëri kanë mbërritur në Tivar, janë vrarë prej rojeve malazezë.
* * *
Mobilizimi – Për të vendosur rend në Kosovë apo për ta mbajtur Kosovën nën pushtim, pushtetet serbo-malazeze ndërmorën masa të caktuara. Një prej tyre ishte edhe mobilizimi i shqiptarëve në Armatën Jugosllave. Në këtë mënyrë, të rinjtë e mobilizuar nuk do të kishin mundësi të përfshihen në vatrën e kryengritjes. Njëherazi, ata do të shfrytëzoheshin edhe në operacionet për çlirimin e Jugosllavisë. Në janar të vitit 1945, Komanda jugosllave lëshoi urdhër për mobilizimin e shqiptarëve të Kosovës, prej moshës 16 deri në 65 vjeç. Mirëpo, partizanët shqiptarë dëshironin të luftojnë në kuadër të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe jo të Jugosllavisë.
Për t’iu shmangur mobilizimit në ushtrinë jugosllave, në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë ishin strehuar nëpër male. Më 11 mars 1945, shpërthyen në Gjakovë demonstratat e grave kundër mobilizimeve të dhunshme të bijve, të vëllezërve dhe të burrave. Partizanët jugosllavë, në bashkëpunim me njësitë partizane shqiptare grumbulluan një numër të konsiderueshëm rekrutësh nga Mitrovica, Prizreni, Vuçitërni (Vushtria), Podujeva dhe Prishtina. Sipas disa burimeve, bëhet fjalë për rreth 5.400 vetë.
Shqiptarët, prej qendrave komunale u tubuan në Prizren, me qëllim që të nisen për në veri të Jugosllavisë, për të marrë pjesë në luftimet përfundimtare në veri të Jugosllavisë. Të rekrutuarit së pari i çarmatosën duke u thënë se armët do t’u jepen kur të mbërrijnë në Kroaci dhe në Slloveni. Pas kësaj, shqiptarët e çarmatosur u morën nga rojet e armatosura serbe dhe malazeze. I ndanë në tre grupe apo në tri kolona të ndryshme dhe u dhanë urdhër që të marshojnë drejt Tivarit. Pushtetet jugosllave synonin t’i shfrytëzonin si plotësim të Armatës IV jugosllave e cila luftonte në Trieste.
Një numër i konsiderueshëm i të mobilizuarve kishin marrë pjesë në kryengritjen që kishte shpërthyer në Kosovë kundër pushtetit serbo-malazez. Me rastin e mobilizimit dhe gjatë rrugës për në Tivar, disa prej tyre kishin përhapur fjalë se pasi të hipnin nëpër anije, do t’i hidhnin në det.
* * *
Deri në Tivar, shqiptarët e Kosovës janë shoqëruar në këmbë, nëpër kurorat malore të Kosovës, të Shqipërisë veriore dhe të Malit të Zi, në vijën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar. Aty duhej t’i priste anija për në Dalmaci, që pastaj të dërgoheshin në front.
Pas disa ditë ecjeje në këmbë, kolona e parë prej rreth 2500 apo 3700 vetëve, mbërrin në Tivar, nga ku është dërguar në Istrie.
Kolona e dytë prej rreth 2472 apo 4700 vetëve ka marshuar nëpër rrugën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër. Shqiptarët e mobilizuar janë shoqëruar deri në Shkodër nga njësitë partizane të Vranjës dhe të Pirotit. Përkundër lodhjes së madhe dhe rraskapitjes nga rruga e gjatë, marshi është sforcuar gjithnjë e më tepër. Gjatë marshit regrutët i janë keqtrajtuar, ndërsa të sëmurët i kanë lënë të vdesin. Sipas burimeve shqiptare, gjatë rrugës, shumë shqiptarë i kanë rrahur dhe i kanë vrarë. Ka pasur raste kur ndonjërin prej tyre ta kenë rrahur apo edhe ta kenë vrarë, vetëm se ka dashur apo ka tentuar të shuajë etjen.
Burimet malazeze thonë se për shkak të agjitacionit armiqësor, gjatë tërë rrugës kanë ndodhur “incidente të shumta”. Gjatë udhëtimit përtej Drinit, shqiptarët e mobilizuar kanë hedhur disa shoqërues në lumë. Sipas burimeve të njëjta, kjo qenkësh përsëritur edhe gjatë udhëtimit nëpër Bunë, por krejt kjo paskësh kaluar pa pasoja të rënda.
Në Shkodër, shqiptarët i janë dorëzuar Brigadës X malazeze, e cila ka pasur për detyrë t’i shoqërojë deri në Tivar. Me këtë rast, shqiptarët që kanë qenë me plisa të bardhë janë konsideruar prej malazezve si ballistë. Kolona është ndarë në 12 grupeve. Pranë kolonës, në një distancë të caktuar, janë caktuar luftëtarë të Brigadës X malazeze.
Sipas dëshmive të caktuara, më 31 mars, në afërsi të Ulqinit, me arsyetimin se i çojnë për mjekim në spitale në Mal të Zi, të sëmurët dhe të plagosurit i kanë ndarë. Pas kësaj, për fatin e tyre s’dihet asgjë.
* * *
Incidenti – Para se të mbërrinin në Tivar, shqiptarët e mobilizuar kanë ecur disa kilometra nëpër fushën e Tivarit. Kolona mbërrin në qytet më 1 prill 1945. Shqiptarët kanë qenë tepër të lodhur dhe të rraskapitur. Sipas burimeve sllave, paskësh ndodhur një incident që paskësh qenë prelud për kasaphanën që ka pasuar. Sipas një versioni sllav, diku në fushë një i ri shqiptar e paskësh vrarë një ushtar malazez i cili nuk e paska lënë të pijë ujë e të shuajë etjen. Pas kësaj, të riun, bashkë me dy të tjerë i kanë masakruar. Sipas një versioni tjetër sllav, një prej shqiptarëve e paskësh rrëmbyer pushkën e shoqëruesit malazez dhe e paskësh vrarë. Pas kësaj, shqiptari qenkësh larguar dhe qenkësh përzier me të tjerët. Më vonë është vrarë një i ri shqiptar i cili paskësh tentuar t’ia marrë pistoletën një oficeri. Incidenti paska shkaktuar zemërimin e malazezëve dhe gatishmërinë e tyre për hakmarrje. Ata kanë zënë pozicione përgjatë rrugës nëpër të cilën ka ecur kolona si dhe rreth ndërtesës në Tivar, ku është dashur të vendoseshin të rinjtë shqiptarë.
* * *
Masakra – Shqiptarët e mobilizuar i kanë mbyllur në një ndërtesë të madhe të quajtur “Monopoli i duhanit”. Ndërtesa ka pasur një sipërfaqe prej rreth 300 m2 dhe një oborr të rrethuar me mure të larta. Ndaj të mobilizuarve shqiptarë, partizanët malazias kanë pasur qëndrim tejet armiqësor. Një prej oficerëve i paska pritur me fjalët: “Jua qafsha nënën, a ju do të luftoni kundër partizanëve”. Atëherë patrulla paskësh veçuar 16 të dyshuar për vrasjen e shoqëruesit malazez dhe i paskësh marrë me vete.
Sipas versionit malazez, masa paska filluar të protestojë, ndërsa dikush, në drejtim të rojeve malazeze paska hedhur një bombë të kontrabanduar. Pas kësaj qenkësh dëgjuar thirrja: ”Po rebelohen shqiptarë!” Rojet së pari paskan qitur në qiell, e kur turma është përfshirë nga paniku, kanë gjuajtur edhe ndaj njerëzve. Kur shqiptarët të cilët kanë qenë në kolonë i paskan dëgjuar krismat, paskan filluar të arratisen dhe të fshihen në pyje. Pas kësaj ka pasuar ndjekja e tyre. Ata që i kanë zënë i kanë ekzekutuar aty për ty.
“Në kodrën mu te hyrja e hapësirave të Stacionit të duhanit ishte vendosur një mitraloz. Sakaq, kanë filluar të qëllojnë me mitraloz drejt turmës së dendur. Të përfshirë nga paniku, të mobilizuarit shqiptarë kanë filluar të ikin, kah sytë këmbët, kush si ka mundur. Me të dëgjuar thirrjen “Po rebelohen shqiptarët”, është vënë në veprim edhe çeta e Komandës vendore si dhe qytetarët që kanë pasur armë. Shqiptarët e mobilizuar, kush si ka mundur, nëpër kodra kanë filluar të largohen kah veriu.
Një batalion i Brigadës X malazeze ka qenë në Tivarin e Vjetër. E njoftuar për rebelimin, batalioni ka dalë para masës dhe është pozicionuar në rreshtin e pushkatimit. Ishte një skenë e tmerrshme. Afro 400 vetë u vranë, ndërsa qindra të tjerë u plagosën”. (Boshko Gjuriçkoviq, komisar politik i Grupit operativ bregdetar).
* * *
Sipas versionit shqiptar, sapo regrutët janë sjellë në ndërtesën e Monopolit të duhanit, malazeztë i kanë drejtuar mitralozat në drejtim të tyre dhe kanë hapur zjarr. Rreth orës 14, shqiptarët janë sulmuar nga të katër anët dhe me të gjitha llojet e armëve që kanë qenë në dispozicion – me automatikë, me mitraloza, me bomba dore, me pistoleta etj. Njëherazi, është hapur zjarr edhe mbi të rinjtë shqiptarë që kanë ndodhur në oborrin e “Monopolit të duhanit”. Një prej të mbijetuarve, Azem Hajdini, dëshmon se në ndërtesë kanë qenë rreth 1000 vetë, brenda oborrit – rreth 2200 deri në 2500 vetë, ndërsa disa të tjerë kanë qenë në rrugën para oborrit. Në hapësirën e oborrit është krijuar një lum gjaku, ndërsa ndërtesa është shkatërruar. Nën rrënojat e saj kanë mbetur trupat e qindra të rinjve.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve, masakra ka qenë e përgatitur. Paraprakisht kanë qenë të hapura edhe gropat.
Një malazez që e ka parë skenën e përgjakshme, dëshmon: “Isha duke kaluar urën, pashë se gjaku arrinte deri te leqet e këmbëve”.
Në atë kohë në Tivar ndodheshin Brigada X malazeze, rreth 100 luftëtarë të Komandës vendore, disa pjesë të Mbrojtjes popullore, një pjesë e Brigadës së Bokelit dhe masa e madhe e të plagosurve të armatosur, e refugjatëve dhe e vendësve. Në masakrën e Tivarit janë përfshirë edhe pjesë të Divizionit të 46 serbë të partizanëve, të përbërë prej qytetarëve të Vranjës dhe të Pirotit.
Përpos partizanëve, ka pasur edhe vendës të cilët me të madhe kanë marrë pjesë në masakër. Në vrasje kanë marrë pjesë edhe kolonët serbë dhe malazezë të cilët pas luftës së prillit të vitit 1941, qenkëshin larguar nga Kosova.
Sipas disa burimeve, disa nga vendësit i paskan fshehur shqiptarët e pambrojtur nëpër shtëpi e veta apo nëpër mullarë. Trupat e shqiptarëve të vrarë janë hedhur në gropa dhe në det. Disa të vrarë i kanë djegur apo i kanë varrosur në varre masive, pesë kilometra larg Tivarit të Vjetër. Shqiptarët e mbijetuar që kanë mundur t’i zënë, i paskan dërguar në front.
* * *
Numri i viktimave – Kurrë nuk është përcaktuar saktë sesa shqiptarë janë vrarë atë ditë. Numri i të vrarëve përcaktohet varësisht nga burimi i informatave. Sipas kronikëve zyrtarë të partizanëve, flitet për një numër prej 400 deri në 450 të vrarë, ndërsa sipas historianëve shqiptarë numri i të vrarëve shkon prej 1500 deri 2000 vetë. Ka edhe vlerësime që thonë se në Tivar janë vrarë 4300 shqiptarë. Me një fjalë, numri i viktimave shkon nga 400 në 4200.
* * *
Një ditë pas masakrës është ndërruar dhe është degraduar i tërë shtabi komandues, me në krye Gasha Markoviqin, por askush nuk është dënuar. Madje komisari politik i Grupit operativ bregdetar, Boshko Gjuriçkoviq, në njëfarë mënyre i ka arsyetuar njësitë e veta: “Ushtarët tanë kanë qenë të provokuar në mënyrën më mizore dhe më jonjerëzore, ndaj edhe është shkaktuar kjo tragjedi….”
Sipas disa burimeve jugosllave, kjo ngjarje e paskësh njollosur lëvizjen partizane si dhe Tivarin, për arsye se paskësh mbetur në kujtesë si ekzekutimi më i madh në ato hapësira.
Në RSFJ kjo ka qenë temë e paprekshme për të cilën nuk është folur me dekada. Të dhënat serbo-malazeze për masakrën e Tivarit ose janë asgjësuar, ose janë shtrembëruar. S’ka dyshim se dokumentet me të dhëna mbi gjakderdhjen e Tivarit, Beogradi i ka ruajtur dhe i ruan si dokumente konfidenciale, si sekret shtetëror apo si dokumente tepër rezervat. Ato duhet të gjenden në arkivin ushtarak të ushtrisë jugosllave në Beograd.
* * *
RIKAPITULIM – Masakra e Tivarit është një nga më të mëdhatë në fund të Luftës II Botërore. Viktimat ishin të moshave 18 deri në 45 vjeç. I mobilizuan në rajone të ndryshme të Kosovës dhe i nisën për në Tivar, me qëllim që t’i transportonin më pas me anije në veri të Jugosllavisë, nën pretekstin e ndjekjes së trupave gjermane. Qysh në janar 1945, me urdhër të Shtabit Suprem të UNÇ të Jugosllavisë, në drejtim të veriut të Jugosllavisë ishin dërguar Brigadat VI, VII dhe VIII kosovare dhe Brigada IV (VII) e shqiptarëve të mobilizuar në rajonet e Maqedonisë, me një efektiv prej 14.000 luftëtarësh. Më 20 mars 1945 Shtabi Suprem i UNÇJ urdhëroi Komandën Ushtarake dhe Shtabin Operativ të Kosovës për mobilizimin ushtarak të të rinjve nga ajo trevë, të cilët do të shërbenin për të plotësuar radhët e Armatës IV jugosllave. Të rinjtë e mobilizuar në Kosovë marshuan në drejtim të portit të Tivarit, në këmbë dhe të ndarë në kolona. Rruga që ata përshkuan filloi nga pikat e mobilizimit e deri në Prizren, që ishte dhe vendi i grumbullimit. Rruga vijoi në drejtim të Kukësit, Pukës, Shkodrës dhe Tivarit. Ata i ndanë në tri kolona me rreth 2500 vetë secila. Për shoqërimin e tyre u ngarkuan repartet e Divizionit të 46 serb.
Më 24 mars 1945, nga Prizreni u nis kolona e parë me 2394 vetë, e cila arriti në Tivar në fund të muajit, ku iu dorëzuan reparteve të Divizionit IX jugosllav.
Kolona e dytë me 2382 vetë u nis nga Prizreni më 26 mars dhe në Tivar iu dorëzua reparteve të Brigadës X malazeze.
Më 27 mars u nis kolona e tretë me 2700 vetë, kurse për shoqërimin e saj u ngarkuan repartet më të mëdha të Brigadës XXVII të Divizionit të 46 serb.
Nga Kosova, për të plotësuar radhët e Armatës IV jugosllave vetëm gjatë muajit mars të vitit 1945 u dërguan 7476 luftëtarë.
Të rinjtë shqiptarë duhej të përballonin vështirësitë e rrugës së gjatë e të mundimshme, mungesën e ushqimeve dhe të kushteve higjienike më themelore. Mbi të gjitha, provokimet e vazhdueshme të rojeve të armatosura serbe. Ata, duke u trajtuar si armiq potencialë, sepse kishin dalë nga radhët e të ashtuquajturve të dyshimtë, ishin të detyruar të marshonin në këmbë dhe në kolonë nga katër vetë, të çarmatosur dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të patrullave ushtarake serbo-malazeze. Kushdo që dilte nga kolona për nevoja personale, ekzekutohej. Banorët e Kukësit, të Pukës dhe të Shkodrës u bënë dëshmitarë të trajtimit mizor të të rinjve shqiptarë nga rojet ushtarake serbe. Jehonë të hidhur bënë vrasjet e ushtarëve shqiptarë të kryera në urën e Bunës. Në situatë tejet të rëndë u ndodh kolona e të rinjve kosovarë me rreth 2300 vetë, që arriti në Tivar më 1 prill 1945. Në oborrin e ndërtesës së monopolit të duhanit të rinjtë shqiptarë u bënë pre e provokimeve të rojeve të armatosura serbe. Pas largimit të elementëve sllavë, kolona u gjend nën breshërinë e llojeve të ndryshme të armëve të reparteve jugosllave, që qëllonin nga të katër anët. Trupat e pajetë të të vrarëve dhe të të plagosurve u ngarkuan në karroca dhe u varrosën në gropa të përbashkëta. Për numrin e të rinjve shqiptarë të masakruar në Tivar më 1 prill 1945 janë dhënë shifra të ndryshme. Sipas autoriteteve jugosllave, numri i të vrarëve ka qenë 300 vetë, por studiues të tjerë që janë marrë me këtë ngjarje thonë se bëhet fjalë për 1670 të rinj shqiptarë. Pavarësisht nga këto ngjarje, mobilizimi i të rinjve shqiptarë dhe largimi i tyre nga Kosova vazhdoi edhe më pas.
* * *
Përgjegjësia e udhëheqjes së Shqipërisë – Sipas disa studiuesve, midis tyre edhe Nail Dragës (1957-), për masakrën e Tivarit përgjegjësi mban edhe udhëheqja e Shqipërisë apo Partia Komuniste e Shqipërisë. Nail Draga shkruan: “… si të lejohet që të kalojnë nëpër territorin e Shqipërisë eshalonë të tërë qytetarësh kosovarë të përcjellë nga ushtarakët serbo-malazez, gjoja për të marrë pjesë në ndjekjen përfundimtare të armikut në Istër e Slloveni, kur Lufta e Dytë Botërore kishte marrë fund. Nuk ka dilemë se ishte ky një veprim monstruoz dhe antikombëtar i udhëheqjes së Shqipërisë së kohës, e cila ka përgjegjësi për masakrën e Tivarit”.
* * *
Konferencën shkencore – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në Ulqin, më 30-31 mars 2013, për masakrën e Tivarit organizoi konferencën shkencore “Masakra e Tivarit – 1945”. Në të morën pjesë studiues nga Kosova, nga Shqipëria dhe nga Mali i Zi.
* * *
Varri masiv i viktimave të masakrës së Tivarit u zbulua pas më se gjysmë shekulli. E zbuloi më 17 shtator 1996 historiani Zekeria Cana (1934-2009).
Tragjedia e Tivarit zuri vend edhe në kulturën e popullarizuar. Në vitin 1996 regjisori Ekrem Kryeziu (1943-), në produksion të Radiotelevizioni të Shqipërisë xhiroi Tv-filmin “Viktimat e Tivarit” – kushtuar masakrës.
* * *
Dëshmitë autentike të të mbijetuarve – Njëri nga dëshmitarët e mbetur gjallë nga masakra e Tivarit është shkrimtari dhe juristi nga Kosova, Azem Hajdini – Xani (1924-2010), autor i librit “Tragjedia e Tivarit”, Shtutgart 1990.
Me tragjedinë e Tivarit, post ë tjerëve, janë marrë:
– Milović, Željko. “Drugi Svjetski Rat”. Montenengrina Digitalna Biblioteka;
– Draga, Nail “Masakra e Tivarit, 1945: Genocid kundër shqiptarëve”, 2005);
– B. Jashari, “Massive grave of Albanian victims of Tivari Massacre uncovered”, 1996;
– Butka, Uran, “Masakra e Tivarit: Enveri urdhëroi “vrisni kosovarët”?!”, 2019;
– Elsie, Robert, “Kosovo and the Bar tragedy of March 1945”, 2012;
– Berisha, Sheradin, “Kufomat e shqiptarëve hidheshin nga qerret në det”, 2005;
– Berisha, Sheradin, “Si ndodhi Masakra e Tivarit më 1 prill 1945?”, 2007;
– Dervishi, Kastriot, “Masakra e Tivarit, të mbijetuarit në Shqipëri iu dorëzuan jugosllavëve, 1945”, 2019;
– Dr. Muhamet Pirraku, Tivari 1945 Kalvary of Kosova Prishtinë 2005;
– Azem Hajdini-Xani: Tragjedia e Tivarit – Die Tragödie von Tivar;
– Azem Hajdini-Xani: Masakra e Tivarit: memoare. Shoqata e të Burgosurve Politikë, Prishtinë 1998 – Das Massaker von Tivar: memoarien.
* * *
Në prag të mbarimit të Luftës II Botërore dhe menjëherë pas përfundimit të saj, serbët, malazeztë dhe sllavo-maqedonasit ndaj shqiptarëve kryen krime të llahtarshme. Përmasat e krimeve, për arsye të caktuara, nuk janë studiuar sa duhet nga studiuesit shqiptarë. Duhet ditur se:
– Në kohën e kryerjes së krimeve, shqiptarët nuk kishin kapacitet të mjaftueshëm për t’i hulumtuar ato;
– Krimet ndaj shqiptarëve pushtetarët serbë, sllavo-maqedonas dhe malazezë i kryenin pa lënë gjurmë;
– Gjatë regjimit komunist, historianëve dhe studiuesve shqiptarë nuk u lejohej të hynin në arkivat e Beogradit, sidomos në arkivin e ushtrisë jugosllave.
* * *
Krimet e asaj kohe ndaj shqiptarëve, janë mbartur si legjenda, brez pas brezit. Në kohën e regjimit komunist, për tragjedinë e Tivarit, s’ke mundur të flasësh publikisht apo në nivel akademik. Si rrjedhojë, shoqëria shqiptare nuk ka qenë e njoftuar sa duhet. Me kalimin e moteve, tragjedia dita ditës është zbehur, për të mbetur si një legjendë, në kujtesën e njerëzve. Regjimi serbosllav nuk lejoi që masakra e Tivarit të shënohet në histori dhe të mësohet nga historia. Përkundër vështirësive me të cilat u ballafaquan, disa historianë dhe studiues shqiptarë, me kërkime të pareshtura, tmerrin e Tivarit arritën ta zbardhin disi.
* * *
Kah fundi i vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945 krime ndaj shqiptarëve janë kryer edhe në qytet shqiptare në Maqedoni. Kryerës të krimeve kanë qenë pushtetarët komunistë apo partizanët sllavo-maqedonas, fuqimisht të mbështetur nga Beogradi. Krimet janë kryer sidomos në Kërçovë, në Gostivar, në Tetovë, në Kumanovë dhe gjetkë. Shqiptarët janë cilësuar si ballistë, si bashkëpunëtorë të italianëve apo të gjermanëve, si ushtarë apo si mbështetës të ballistit Xhemë Hasa (Simnicë, Gostivar, 1908 – 06.05.1945), si armiqtë Jugosllavisë, si nacionalistë, irredentistë apo separatistë që kanë vepruar për bashkim me Shqipërinë. Në atë kohë, shumë shqiptarë janë mbyllur në Monopolin e duhanit në Tetovë. Gjurmët e krimeve ndaj shqiptarëve në Maqedoni, kryerësit e krimeve i kanë asgjësuar. Ndonjë dokument eventual me përmbajtje për krimet e kryera është klasifikuar si konfidencial, si sekret shtetëror apo ushtarak. Kur strukturat shtetërore kryejnë krime mbi një popull, rëndom nuk lënë dëshmi të shkruara. Që atëherë e këndej, nga boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë), mbi shqiptarët në Maqedoni është kryer gjenocid.
* * *
Tragjedia e Tivarit paraqet gjenocid ndaj shqiptarëve. Për krimet e asaj kohe ndaj shqiptarëve hulumtimet nuk duhet të pushojnë. Për krimet e asaj kohe duhet të organizohen konferenca shkencore. Për ta njohur historinë, krimi serbo-malazez duhet të zërë vend në historinë e kombit shqiptar. Krimet kundër njerëzimit nuk vjetrohen kurrë. Midis kryerësit të krimit dhe viktimës kurrë s’mund të ketë pajtim derisa aktori i mizorive të kryera të mos e pranojë fajin dhe të mbajë përgjegjësi.
Në botën shqiptare zezona e Tivarit duhet të shënohet çdo vit. Çdo vit, 1 prilli duhet të shënohet si ditë e kujtimit të masakrës së Tivarit. Për viktimat e kalvarit të Tivarit duhet të ngrihet një kompleks përkujtimor në Prizren apo gjetkë, në hapësirat shqiptare. Përvjetori i kasaphanës së Tivarit duhet të shënohet me ceremoni shtetërore. Për krimin e kryer, Serbia dhe Mali i Zi duhet të paditen në gjykatën ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.
* * *
Gjatë tërë shekullit XX Serbia ka kryer masakra ndaj shqiptarëve. Sidomos në vitet 1998-1999. Golgota e Tivarit të kujton gjenocidin serb në Srebrenicë. Të pandëshkuar, serbët vazhdimisht i përsërisin krimet kundër njerëzimit. Srebrenica ndodhej në zonën e Bosnjës lindore të mbrojtur nga 300 trupa holandeze që vepronin në kuadër të OKB-s. Largimi i trupave holandeze nga kjo “zonë e mbrojtur”, ua çeli rrugën trupave serbe, për të hyrë në të. Në javën e parë të korrikut, përkatësisht më 11 korrik të vitit 1995 forcat serbe, të komanduara nga gjenerali serb Ratko Mlladiq (1943-) dhe të orkestruara nga kryetari i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq (1945-), morën kontrollin e kësaj “zone të mbrojtur” dhe masakruan rreth tetë mijë djem e burra myslimanë.
Gjenocidi në Srebrenicë është simbol i indiferencës dhe i qëndrimit injorues të vendeve të Perëndimit. Gjenocidi në Bosnjë ndodhi paralelisht me gjenocidin në Ruandë, ku u vranë rreth një milion njerëz. Edhe këtë dramë tragjike bashkësia ndërkombëtare e injoroi. Srebrenica shkaktoi dilema morale serioze në botë. Pas këtij krimi, Administrata amerikane e përshpejtoi strategjinë përfundimtare e cila liderët e Ballkanit – Franjo Tugjmanin, Alija Izetbegoviqin dhe Sllobodan Millosheviqin i çoi në Dejton*.
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë, Bosnja dhe Hercegovina paraqiti padi kundër Serbisë për agresion dhe gjenocid. Për shkak të marrëveshjes midis kryeprokurores së OKB-së për krime lufte, juristes zvicerane Karla del Ponte (Carla del Ponte, 1947-) dhe Beogradit, dokumentet më të rëndësishme që kishin të bënin me rolin e Serbisë në gjakderdhjen e BH-së, nuk qenë në dispozicion të GjND-së. Për shkak “të mungesës së provave”, me aktgjykimin që nxori GjND-ja, Serbia amnistohej nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocid, por u konsiderua përgjegjëse se nuk e kishte parandaluar atë. Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, masakrën e Srebrenicës e cilësoi si akt gjenocidi. Të gjithë e dinë se involvimi i Serbisë në gjakderdhjen e BH-së ka qenë i padiskutueshëm. Ndërkohë, Parlamenti Evropian miratoi një Deklaratë sipas të cilës të gjitha vendet e Evropës detyroheshin që 11 korrikun ta shënojnë si Ditë kujtimi të krimeve në Srebrenicë.
Shënim: Marrëveshja e paqes e Dejtonit (Dayton Agreement) u arrit në bazën ushtarake të forcave ajrore Rajt-Paterson, në afërsi të Dejtonit, në shtetin amerikan Ohajo. Konferenca zgjati prej 1 deri më 21 nëntor 1995. Pjesëmarrës qenë kryetari i Kroacisë Franjo Tugjman (1922-1999), kryetari i BH-së Alija Izetbegoviq (1925-2003) dhe kryetari i Serbisë Sllobodan Millosheviq (1941-2006). Bisedimet i udhëhoqi sekretari amerikan i shtetit Uorën M. Kristofer (Warren Minor Christopher (1925-2011). Negocues ishte diplomati amerikan Riçard Holbruk (Richard Holbrooke, 1941-2010). I pranishëm qe edhe gjenerali amerikan Uesli Klark (Wesley Clark, 1944-). Zyrtarisht marrëveshja u nënshkrua në Paris më 14 dhjetor 1995. Përpos tre liderëve ballkanikë, të pranishëm ishin edhe presidenti i ShBA-së Bill Klinton (Bill Clinton, 1946-), presidenti i Francës Zhak Shirak (Jacques Chirac, 1932-2019), kancelari gjerman Helmut Kol (Helmut Hohl, 1930-2017), kryeministri britanik Xhon Mejxhër (John Major, 1943-), kryeministri spanjoll Felipe Gonzales (Felipe Gonzáles, 1942-) dhe kryeministri i Rusisë Viktor Çernomirdin (1938-2010). Sipas kësaj marrëveshjeje, BH-ja u bë shtet me dy entitete: Federata Myslimano-Kroate me 51 për qind të territorit dhe Republika Serbe me 49 për qind të territorit.

Xhelal Zejneli