Krimi i Organizuar dhe Korrupsioni kanë lëshuar aq shumë rrënjë në vendin tonë, saqë RMV është vazhdimisht nën llupën e Bashkimit Evropian. Edhe pse janë realizuar reforma të shumta në gjyqësor, BE kërkon edhe shumë. Megjithatë, ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq, vlerëson se në luftën kundër krimit dhe korrupsionit është bërë shumë dhe kjo nuk duhet ta penalizojë vendin. Ai pret që Evropa të bëjë një hap përpara për Maqedoninë.

“Pritjet tona janë se Bashkimi Evropian së shpejti do t’i hapë bisedimet për anëtarësim të RMV-së. Është e merituar sepse janë bërë të gjitha reformat e pritura dhe të kërkuara, janë sjellë vendime të rënda pikërisht në emër të procesit integrues. Prandaj është koha që BE të tregojë se e vlerëson atë.”,- tha ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, Spasovski: Sfida ka ende, ballafaqohemi me sukses

Edhe pse janë realizuar reforma të shumta në gjyqësor, vendi ka ende shumë për të bërë konstaton ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.

“Kësaj çështjeje viteve të fundit i kushtohet shumë rëndësi në të gjitha fazat e procesit paraqasës në përputhje me konsensusin e rinovuar për zgjerim. RMV ballafaqohet me sfida që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe vazhdimisht bëjmë përpjekje për zgjidhjen e tyre.”,- u shpreh ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.

Sundimi i ligjit, vazhdon mbështetja e BE-së për RMV-në

Për të ndihmuar shtetin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, BE në 5 vitet e ardhshme përmes projektit “Mbështetja e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit” do të rrisë parandalimin e korrupsionit dhe do të mbrojë të drejtat fondamentale.

“Do të aplikohen teknika moderne të hetimit gjatë luftimit të krimit të organizuar dhe do të rrisë parandalimin e korrupsionit, si dhe do të mbrojë të drejtat fondamentale. Duhet të rriten kapacitetet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ky trup duhet lehtë t’i kontrollojë dhe verifikojë deklaratat e parashtruara të të zgjedhurve dhe personave publikë, si dhe të deputetëve në kuvend.”,- deklaroi nënkryetarja e KETV-së, Vera Jurova.

Përmes këtij projekti do të sigurohet mbështetje nga ekspertë, mbështetje gjatë menaxhimit, ndihmë për zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve, si dhe trajnimin e të punësuarve në Gjyqësor dhe MPB.