Kuvendi miratoi pjesën dërmuese të ligjeve të mbetura në procedurë për disa muaj. Në tre seancat e thirrura sot, pushteti dhe opozita bashkërisht miratuan dhjetëra ligje për të cilat paraprakisht kishin dallime të thella. Megjithatë, shumica parlamentare përsëri akuzoi opozitën për qasje destruktive ndaj Qendrës së re Klinike në Shkup. LSDM-ja akuzoi VMRO-DPMNE-në se po bllokon interesat e qytetarëve për interesa partiake dhe personale.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së e dinë se e kanë mundësinë e hapur që opozita ta udhëheq këtë projekt, por nuk kanë guxim të votojnë këtë ligj. Më me rëndësi e kanë ta shpëtojnë liderin e tyre se sa qytetarët. Për këtë arsye Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja humbin në zgjedhje vazhdimisht. Humbin sepse interesat individuale dhe partiake janë më të rëndësishme se ato qytetare dhe shtetërore- deklaroi Nenad Kociq, Deputet i LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja kundërshton pretendimet e pushtetit. Sipas tyre shumica manipulon me opinionin kur flet për ligj për qendrën klinike. Ata thonë se në vend të një ligji të këtillë, ekzistojnë vetëm tre faqe propozim-ligj për ndryshimin e ligjit për furnizime publike me të cilin do t’i hapë rrugë organit kontraktues të nënshkruajë konzorcium me dy firma realizuese. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se nuk ekziston akoma projekt për qendrën klinike por vetëm studim fizibiliteti i cili parashikon që projekti të kushtojë 508 milionë euro. Studimi nuk përfshin koston e ndërtimeve jashtë objektit, rrugët deri te qendra klinike, instalimi elektrik, instalimi i gazifikimit, ujësjellësit dhe të tjera. VMRO-thotë se nuk është kundër ndërtimit të Qendrës Klinike por kërkon të shfrytëzohen mjetet nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe të pranojnë kërkesën e opozitës e cila, thonë se do të kushtojë dyfish ose trefish më pak se sa çmimi që parashikon pushteti.

Ndërkohë aktualisht në Kuvend, VMRO-DPMNE-ja thotë se do të vazhdojë të veprojë si deri më tani. Nuk ka vendosur akoma nëse do të dorëzojë interpelancë për kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, mundësi të cilën e kishin paralajmëruar. Por, në procedurë parlamentare janë kthyer dy interpelancat për zv/kryeministrin Lupço Nikollovski dhe ministrin e Drejtësisë, Bojan Mariçiq. VMRO-DPMNE-ja ka rinisur kërkesat dhe ata do të shqyrtohen në seancën e parë të radhës, në dy ditë të posaçme. Debati për to pritet të zhvillohet në 18-19 ose 19-20 maj.

Adrian Kerimi