Ergin Iseni, 23 vjeçari nga Haraçina, nuk i ka mbijetuar plagëve të rënda që javë më parë, konkretisht më 13 maj, i mori në incidentin e armatosur në lagjen Butel të Shkupit, ku i vdekur mbeti Kamer Idrizi, 43 vjeç nga Shkupi, shkruan gazeta KOHA.
Ergini pak minuta më parë ndërroi jetë në KARIL të Shkupit, ndërsa gjendja e tij nuk ishte përmirësuar përkundër disa ndrëhyrjeve kirurgjikale që ishin kryer në trupin e të ndjerit.

Në ndërkohë, asnjë informatë zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme rreth pistave të mundshme, apo se kush mund të jenë autorët e vrasjes në Butel, të cilët gjuajtën rreth 100 plumba nga armë automatike në automjetin brenda të cilit ishte Kamer Idrizi dhe Ergin Iseni. Kameri mbeti i vdekur në veturën Golf, ndërsa me disa plumba në trup dhe i lënduar rëndë kishte përfunduar 23 vjeçari nga Haraçina.

Që nga 13 maji, Ergini ishte shtrirë në gjendje kome në KARIL në Klinikën “Nëna Terezë” në Shkup, por pa përmirësime të gjendjes shëndetësore.
Ndryshe, për familjen Iseni, vdekja e Erginit është dhimbja e dytë e madhe, pasi vite më parë, edhe vëllai tjetër kishte vdekur në betejat e Sirisë së largët.