Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, priti në takim kryetarin e Athinës, Kostas Bakoyannis, i cili e përgëzoi për zgjedhjen kryeministër.

Kurti e vlerësoi nivelin aktual të marrëdhënieve me Greqinë, veçanërisht me Athinën, dhe shprehu interesin që të zgjerohet edhe më tej ky bashkëpunim.

Kryetari i Athinës shprehu bindjen se zbatimi i reformave të nevojshme në Kosovë, në përputhje me rekomandimet e BE-së, do të fuqizojë perspektivën evropiane të Kosovës.

Ai, njëlloj si në takimin me homologun nga Prishtina [Shpend Ahmeti], përsëriti mbështetjen e Greqisë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

U bisedua për gjendjen në ballafaqim me pandeminë COVID-19, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe popujt.

I pari i Athinës ka ardhur para dy ditësh në Kosovë dhe ka pasë një takim me kryetarin nga Prishtina, Shpend Ahmeti.