Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani paralajmëron aktivitet diplomatik me Sofjen javën e ardhshme për zhbllokimin e negociatave mes vendit dhe BE-së. Osmani thotë se megjithëse nuk mund ta parashikojë epilogun e aktivitetit, beson se Qeveria teknike bullgare, samiti i BE-së në qershor dhe presidenca portugeze me Unionin janë mundësi të papërsëritshme që duhet shfrytëzuar.

“Ende besoj se ekziston mundësia që të hymë në negociata më thelbësore edhe me Qeverinë teknike në Bullgari, duke e pasur parasysh se Bullgaria në mars të vitit të kaluar dha dritë jeshile për fillim të negociatave. Prandaj nuk ka dilemë rreth vendimit për fillim të negociatave, mbetet çështja e tekstit të kornizës negociuese që është parakusht për mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare. Dua të njoftoj se javën e ardhshme pres të ketë një aktivitet më të madh diplomatik, që eventualisht të mund të arrihet zgjidhje- deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Nga ana tjetër, kryediplomati teknik bullgar, Svetllan Stoev tha se pozicioni i Sofjes mbetet i pandryshuar.

“Pozicioni kornizë i Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut është sjellë me konsensusin e të gjitha partive politike në Parlament. Ne nuk kemi kurrfarë autorizimi ta ndryshojmë atë pozicion. Por mund të ju siguroj se do të punojmë për vazhdimin e dialogut. Tani e tutje, gjithçka është në duart e përfaqësuesve të Maqedonisë së Veriut. Ata e kanë të qartë pozicionin e Bullgarisë dhe nuk duhet të spekulojnë se do të ketë ndonjë ndryshim në 2-3 muajt e ardhshëm, derisa zgjatë kjo Qeveri e përkohshme- pohoi Svetllan Stoev, Ministër i Jashtëm teknik i Bullgarisë.

Ish shefja e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva teksa ia dorëzoi mandatin Stoevit e porositi që të mos bëjë kompromis me sovranitetin e Bullgarisë.

“Bullgaria, më shumë se çdo vend tjetër i BE-së, dëshiron që Maqedonia e Veriut të reformohet dhe të fillojë negociatat. Por kjo nuk mund të ndodhë me koston e interesit kombëtar bullgar, sepse qëllimi i anëtarësimit është ta bëjë unionin më të fortë, jo më të dobët. Kemi plan dhe kushte shumë të qarta. Marrëveshjet duhet të respektohen. Kushtet për fillimin e negociatave duhet të jenë të qarta para se të fillojnë dhe jo të plotësohen gjatë vetë negociatave- tha Ekaterina Zaharieva, Ish ministre e jashtme e Bullgarisë.

Ditë më parë edhe kryeministri Zaev u shpreh optimist për zgjidhjen e kontestit me qeverinë e re teknike në Sofje.