Dialogu Kosovë-Serbi pritet të fillojë shumë shpejtë, derisa kësaj ngjarje i kanë paraprirë shumë zhvillime dhe tema të ndjeshme.

Njëra ndër to, është publikimi i disa dokumenteve të ashtuquajtura ‘non-paper’, ku përmendet ndryshimi i kufijve të shteteve të rajonit të Ballkanit.

Krahas kësaj, edhe Serbia po tenton që në forma të ndryshme ta vendosë në plan të parë formimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë

E lidhur me zhvillimet dhe ngjarjet që po i paraprijnë rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur profesori Muhamet Kelmendi.

Ai përmendi edhe dy temat kryesore që Serbia i ka në dialogun me Kosovën, e që sipas tij janë shkëmbimi i territoreve dhe asociacionit i komunave me shumicë serbe.

Së pari, Kelmendi përmendi dokumentet e ashtuquajtura ‘non-paper’, të cilat parashohin ndryshimin e territoreve të shteteve në Ballkanin Perëndimor, ku humbësi më i madh, sipas tij është shteti i Kosovës.

ImageProfesori Muhamet KelmendiFOTO GALERI
“’Non paper’ është e krijuar nga grupet e ndryshme që janë mjaftë të forta në skenën politike të Evropës dhe edhe më gjerë. Në planin e tillë, këtu nuk është me rëndësi se kush e publikojë atë, por çka theksohet në atë letër, me atë parashihet ndërrimi i territoreve si mundësi e zgjidhjes së raporteve me shtetin serb.

Kuptohet se sipas “non paper” humbës më i madh është Kosova, sepse parashihet ndarja e viseve shqiptare dhe zgjerimi i shtetit serb”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, profesori përmendi formimin e asociacionit të komunave serbe, ku e cilësoi si plan të paraparë nga ‘non-paperat’ për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi.

“Në këtë anë duhet thënë se në tavolinë, edhe pse po refuzohet gjoja nga BE e SHBA-të, është asociacioni i komunave serbe në Kosovë me pushtet politiko-ekzekutiv, si formë e zgjidhjes së çështjes.

Këtu si formë tjetër është plani i paraparë në “non-paper” i zgjidhjes së çështjes në mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ai.

Kelmendi tha se të dy planet, shkëmbimi i territoreve dhe formimi i asociacionit të komunave serbe, po përkrahen nga përfaqësuesi e BE-së, Borell dhe Lajçak.

“Të dy këto janë në tavolinë dhe forcat e ndryshme, vetë z. Borel dhe Lajçak, si përfaqësues të BE-së, e përkrahin njërin a planin tjetër.

Këto dy plane po gjejnë mbështetje apo kanë pasur mbështetje edhe në ish-administratën e SHBA-së, të z. Trump. Shikuar këtej, pra, del se janë plane shumë të forta dhe të përkrahura nga shumë forca. Duket se edhe Spanja dhe Franca janë për ndarjen e Kosovës”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, Kelmendi kërkoi që të refuzohen kategorikisht planet e tilla, qoftë edhe me ndërprerjen përfundimtare të dialogut.

Ai tha se Kosova ka humbur mjaftë territor dhe qytetarë të saj nga shteti serb, nëse merren edhe sipërfaqet e përcaktuara me “non paper” nuk ka jetë dhe nuk funksionon më Kosova si shtet i pavarur dhe sovran.

“Kështu kanë fituar këto dy plane në peshë dhe të dyja ekzistojnë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Të dy këto janë bazë e dialogimit të shtetit serb, dhe këtu kërkohet të refuzohen kategorikisht planet e tilla, qoftë edhe me ndërprerjen përfundimtare të dialogut.

Kosova ka humbur mjaftë territor dhe popull nga shteti serb. Nga territori i Kosovës janë shkëputur në 100 vjetet e fundit rreth 22 mijë kilometra katror dhe janë asimiluar nga shteti serb. Nëse edhe tash i merren sipërfaqet e përcaktuara me “non paper” nuk ka jetë dhe nuk funksionon më Kosova si shtet i pavarur dhe Sovran”, u shpreh profesori.

Në fund, profesori potencoi se tema kryesore të këtij dialogu janë të qarta, gjetja e të zhdukurve, dëmi material dhe moral, përdhunimi i grave dhe burrave shqiptarë, dhe jo shkëmbimi i territoreve dhe formimi i asociacionit të komunave serbe.

“Temat që janë për dialogim në Bruksel janë të qarta. Është gjetja e të vdekurve, dëmi material dhe moral, kthimi i mjeteve financiare të grabitura nga kriminelët serb dhe përgjegjësia penale e shtetit serb për gjenocidin e bërë në Kosovë ndaj shqiptarëve.

Nuk mund të harrohen përdhunimet e 20 mijë motrave dhe të nënave shqiptare, sikundër as përdhunimet e qindra meshkujve shqiptarë. Kështu dhe me këto tema zgjidhen çështjet me shtetin kriminal serb, kjo dërgon te njohja e shtetit që është baza kryesore e raporteve Kosovë-Serbi, pa këto tema nuk ka dialogim”, përfundoi Muhamet Kelmendi.