Katër viktima dhe 113 raste të reja me koronavirus u konfirmuan të mërkurën në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se dy raste të vdekjes u regjistruan në Prishtinë dhe nga një rast në Kaçanik dhe Mitrovicë.

Sipas IKSHPK-së, rastet e reja pozitive rezultuan pas testimit të 1,678 mostrave.

Shifra prej 113 i bie që 6 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.

Përqindja e rasteve pozitive është më e lartë se një ditë më parë, kur ishte 3%.

IKSHPK-ja po ashtu njoftoi se në 24-orëshin paraprak, 316 pacientë u shëruan nga koronavirusi.

Shifrat e sotme e çojnë numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Kosovë në 106,651, të viktimave në 2,217 dhe të të shëruarve në 98,539.

Raste aktive aktualisht janë 5,895.

Në Kosovë, të mërkurën, nisi edhe faza e dytë e vaksinimit kundër koronavirusit, që përfshin personat 65-79 vjeç.

Po sot, Kosova siguroi mbi 38,000 doza të vaksinave nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.