Shkruan: Dr.Kujtim Kasami

Dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, fillojnë nga dita e 21 e agjërimit dhe përfundojnë me përfundimin e Ramazanit, 30 ditë qoftë apo 29. Kështu, nëse muaji i Ramazanit është vetëm 29 ditë, ato janë vetëm nëntë ditë, në të kundërt, janë dhjetë. 

Këto dhjetë ditë nga Ramazani, kanë një vlerë të veçantë nga të gjithë ditët e tjera, pasi ato janë ditë të cilat pejgamberi Muhamed a.s e kalonte natën e tyre i zgjuar duke adhuruar Zotin. Në këto dhjetë ditë, është dhe nata e Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj. 

Pejgamberi Muhamed a.s i specifikonte këto ditë me më shumë adhurim, vëmendje, përkushtim dhe punë të mira. 

Imam Buhari dhe Muslim, transmetojnë nga Aisheja se profeti Muhamed a.s, sa herë që hynin dhjetë ditët e fundit, shtrëngonte rripin, i jepte jetë natës dhe zgjonte familjen.” 

I jepte jetë natës 

Ti japësh jetë natës, do të thotë ta kalosh zgjuar në namaz dhe adhurime të tjera. 

Në një hadith tjetër të Aishes, transmetohet të ketë thënë:”Nuk e di nëse i dërguari i Zotit e lexonte Kuranin brenda një nate apo falej gjithë natën, apo agjëronte një muaj të plotë, përveç muajit të Ramazanit.” 

“I jepte jetë natës” kuptohet se ai falej në shumicën e saj, ose të gjithë natën, duke e ndërprerë adhurimin nga syfyri dhe gjëra të tjera. Pra qëllimi është dhënia jetë e shumicës së natës. 

Kur afrohet fundi i ramazanit të bekuar, zemrat e besimtarëve janë të gëzuara dhe të dëshpëruara – të gëzuara për shkak se me ndihmën e Allahut xh.sh. gati e agjëruan ramazanin dhe me këtë kryen një nga shtyllat e islamit, kurse të dëshpëruara për shkak se me kalimin e ramazanit shkojnë edhe shumë begati dhe mirësi të tij. Gjatë ramazanit jemi më solidar, në ramazan në mënyrë të sforcuar lexojmë Kur’an dhe i falim namazet e përcaktuara dhe nafilet, në ramazan më shpesh vizitohemi, kurse më pak përgojojmë; me një fjalë, gjatë ramazanit ka shumë begati…!

Vëllezër dhe motra, ne jemi në pjesën e tretë të ramazanit, për të cilën pjesë Muhammedi a.s. thotë: “Pjesa e tretë e tij është shpëtimi nga zjarri!”

“Aisha r.anha transmeton se Pejgamberi a.s., kur vinte pjesa e tretë e ramazanit, e mbështillte shtratin e tij, natën e kalonte në ibadet dhe i zgjonte familjarët e tij (për të bërë të njejtin veprim).

A je ngitur ta shuash zjarrin tënd apo ke 

fjetur ndaj kohëve të namazit dhe kështu atë zjarr vetëm sa e ke ndezur më shumë? 

Allahu e ka obliguar agjërimin në këtë muaj të shenjtë por me thuaj se çfarë agjërimi ke bërë?

Agjërim të cilësuar me devotshmëri! 

Ndonëse Allahu e zgjodhi dhe dalloi muajin e Ramazanit prej muajve tjerë, e nderoi atë me përzgjedhjen e tij si muaj i zbritjes së Kur’anit, megjithatë, edhe vet përbrenda Ramazanit, Allahu përzgjodhi ca ditë, të cilat janë më me vlerë se sa ditët tjera. Është fjala pikërisht për këto dhjetë ditët e fundit, që ne sonte veç po shënojmë të parën prej tyre. Vlera e tyre është, sigurisht, më e madhe se sa vlera e 20 ditëve të para ngase pikërisht në këto dite ka filluar zbritja e Kur’anit, siç thotë Allahu: 

(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…“.

(el-Bekare, 185) 

Në këto dhjetë net, besimtarë të nderuar, është edhe Nata e Kadrit, e cilësuar si më e mirë se 1000 muaj, e cila para së gjithash, për ne është një shans jetik për tu pastruar nga mëkatet dhe gabimet. Thotë Allahu: 

Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!“.

(el-Kadr, 3) 

Kështu është në ligjin e Allahut, zgjedh e dallon me urtësinë dhe bujarinë e Tij “Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh kë të dojë…“.

(el-Kasas, 68)

Si ishte gjendja e Muhammedit, alejhi’s selam në këto ditë? Çfarë bënte dhe si vepronte? A shtonte adhurimin dhe lutjet apo ishte si zakonisht? 

Jo, Muhammedi, alejhi’s selam në këto dhjetë ditë ishte më aktiv në adhurime se kurrë më parë, ishte më i freskët në lutje se sa kurrë më parë; falej, lutej, lexonte Kur’an e edhe zgjonte familjen të faleshin me të. Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, rrëfen për Muhammedin, alejhi’s selam e thotë: 

Pejgamberi alejhi’s selam angazhohej në dhjetë ditët e fundit (me ibadet dhe vepra të mira) jo sikurse në ditët tjera (por shtonte dhe përpiqej më shumë)“. (Muslimi)

Pejgamberi alejhi’s selam kur vinte dhjetëshi i fundit i Ramazanit, i ngjallte netët (me ibadete), zgjonte familjen e tij prej gjumi, përpiqej (për ibadet të shumtë), dhe shtrëngohej (për ibadet)“. (Muslimi)

Ja kështu ishte Muhammedi, alejhi’s selam në këto dhjetë ditë. 

Edhe shokët e Muhammedit, alejhi’s selam dhe të tjerët pas tyre iu kushtonin rëndësi të madhe këtyre dhjetë ditëve. Ata, madje edhe në veshje, përgatiteshin special për këto dhjete dite duke blerë rroba të veçanta. 

Ftese për llogaritje të vetes sonë! 

Kaluan 20 ditë dhe tani shtegut përfundimtar të Ramazanit veç po i afrohemi. Është zakon që atleti mundin e tij më të madh ta jap në fund të maratonit kur është afër cakut final, por si ka qenë puna jonë gjatë pjesës së parë të maratonit. A kemi qenë prej atyre që kemi vepruar drejt e me mençuri apo kemi qenë prej dembelëve që si në fillim po edhe në fund të muajit jemi të ngjashëm. Nëse do, ja disa nga gjërat që duhet ta llogarisësh veten për to për të parë nëse ato ta mundësojnë fitoren dhe të japin fuqi tani në fund të shtegut, apo anashkalimi i tyre të ka lënë mbrapa. 

Keni dëgjuar shumë herë se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë për namazin në Ramazan:

Kush falet në Ramazan me besim dhe sinqeritet (vetllogari) i falen mëkatet e mëparshme“. 

Enesi transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:

Allahu ka një melek, i cili thërret për çdo namaz: O bijtë e Ademit, ngrihuni për tek zjarret tuaja që i keni ndezur dhe fikni-shuani ato“. [1]

Shtrohet pyetja se vetëm je larguar nga ushqimet por jo edhe nga fjalët e punët e këqija?

Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:

“Ai qe nuk braktis fjalët e këqija (çfarëdo që të jenë) dhe veprimin sipas tyre, ai nuk ka shpërblim për agjërimin e tij ngase Allahu nuk ka nevojë që njeriu të mos hajë dhe pijë”. 

Allahu e ka zbritur Kur’anin në këtë muaj, më thuaj sa e ke lexuar dhe si e ke lexuar atë. Imam Ahmedit i kishin rrëfyer për një nxënës të tij, i cili falej dhe lexonte tërë Kur’anin brenda një nate. Imami deshi ta mësonte se si në të vërtetë duhet të lexohet Kur’ani me meditim e studim,

kështu që shkoi tek ai dhe i tha: Më kanë informuar se ti bën kështu e kështu…Tha: Po o Imam. 

Mirë, shko sonte dhe vepro siç ke vepruar por kur të lexosh Kur’an bëhu sikur lexon në prezencën time e pastaj nesër më 

informo se si kalove natën – sugjeroi Imam Ahmedi. 

Erdhi të nesërmen nxënësi dhe i tregoi se nuk ka mundur të lexojë më shumë se dhjetë pjesë (xhuza) të Kuranit.

Shko e sonte këndo Kur’an dhe parafytyroje veten sikur këndon në prani të Muhammedit, alejhi selam.

Përveç pjesës së fundit, xhuz’it Amme nuk kishte mundur të lexonte më shumë. 

Shko prapë sonte lexo Kur’an por parafytyroje veten se kësaj radhe je duke lexuar Kur’an para Allahut të Madhëruar – e porositi  Imami. U çudit studenti dhe shkoi. Kur u kthye të nesërmen erdhi i përlotur dhe në të vëreheshin shenjat e pagjumësisë së madhe. 

Çfarë bëre mbrëmë o biri im?- e pyeti Imami. 

Pasha Allahun, as kaptinën el-Fatiha nuk kam mundur ta mbarojë-tha studenti. [2]

Cila ishte sjellja jote me prindër gjatë këtyre ditëve të Ramazanit. Pa mos kërkuar përgjigjen prej teje po ta them një hadith e ti thuaj çfarë përgjigje të duash. Derisa Muhammedi, alejhi’s selam ishte duke hipur në minber tha tri herë “Amin”. O i dërguari i Allahut, kjo gjë nuk është e zakonshme, na thuaj se çfarë kuptimi ka kjo?- pyetën disa nga shokët e tij. 

Derisa isha duke hipur më erdhi Xhibrili dhe më tha: O Muhammed, i poshtëruar është një njeri që prindërit e tij e arrijnë pleqërinë ndërsa ai nuk e fiton Xhennetin prej tyre (për shkak të arrogancës së tij ndaj tyre). Thashë: “Amin” –sqaroi Muhammedi, alejhi’s selam. 

Ke dëgjuar vëlla se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: 

„Tërë ummeti im janë të falur përveç atyre që bëjnë mëkate haptazi“. 

Si ishte gjendja jote? Bëje apo nuk bëje mëkate haptazi? A konsumoje duhan para syve të njerëzve? A haje bukë para agjëruesve? Apo agjëroje siç duhet. A veprove që mëkatet tua të falen. Hadithin që e shënuam më lartë na flet edhe për këtë. “I poshtëruar qoftë një njeri që e përjeton Ramazanin ndërsa nuk i falen mëkatet”- tha Xhibrili dhe e aprovoi me lutje Muhammedi, alejhi’s selam. 

Kemi folur shumë për vlerën e namazit në Ramazan por më thuaj se si ishte gjendja jote me namaz nate? Allahu ka përshkruar robërit e Tij të sinqertë me namaz nate dhe ka thënë: 

“Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen)”.

(el-Furkan, 64) 

Muhammedi, alejhi’s selam e kishte zakon t’i pyeste shokët nëse dikush kishte parë ndonjë ëndërr apo jo. Abdullahu, i biri i Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte parë se si dy burra e kishin kapur për krahësh dhe e kishin dërguar deri afër Xhehennemit ku kishte parë njerëz që i njihte. Thoja: O Zot, më mbro nga zjarri i Xhehennmit! E pamë një melek tjetër, i cili më tha: Përse nuk ke bërë më shumë adhurim? Ia tregova motrës sime, Hafsës, e cila ishte gruaja e Muhammedit, alejhi’s selam dhe ajo ia rrëfeu atij. Me atë rast Muhammedi, alejhi’s selam tha: “Sa njeri i mirë do të ishte Abdullahu po të falte namaz nate”. 

Apo mos ndoshta i ke bërë mëkat Allahut gjatë kësaj kohe. Unë e lus Allahun që ti të mos e kesh bërë një gjë të tillë. A e di pse? Ngase Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: 

“Disa njerëz nga ummeti im do t’i njoh në Ditën e Kijametit ngase vinë të shndritur (bardhë) me sevape të shumta sa kodrat e Tihames por Allahu i bën hi e pluhur ato të mira. Theubani, shok i Muhammedit, alejhi’s selam tha: O i dërguari i Allahut, na i përshkruaj ata, na dëfto gjendjen e tyre që të mos jemi ne prej tyre nga padituria? Sa iu përket atyre, sqaroi Muhammedi, alejhi’s selam, ata janë vëllezërit tuaj, janë prej lëkurës suaj, falen natën siç faleni edhe ju por kur të vetmohen me ndalesa të Allahut i shkelin ato“. [3] 

Shkaku se përse ky grup njerëzish do të kenë veprat e shkatërruara derisa ata, që bëjnë mëkate fshehurazi, nuk do ta kenë një statut të tillë, është se këta njerëz shtiren kinse janë të devotshëm, janë burra të ndershëm, janë të moralshëm. Këta njerëz bëjnë syefaqësi, gënjejnë, ndryshe, janë mëkatarë. Mu për këtë, Ibni Haxher el-Hejthemiu në librin e tij ez-Zevaxhir (pj. 2 / f. 763) mëkatin e 56-të në rënditjen e mëkateve të mëdha e ka llogaritur: “Shfaqja e devotshmërisë në masë të gjerë dhe kryerja e mëkateve në vetmi, qofshin ato edhe të vogla”, e pastaj e përmendi këtë hadith. 

Vëlla dhe motër e nderuar’

Turpërohesh prej njerëzve ndërsa nuk turpërohesh prej Allahut, ke dro të mos shikojnë njerëzit ndërsa për Allahun nuk ke fare dert a të sheh apo jo. A e di se Allahu i Madhëruar, ashtu siç i takon madhërisë së Tij, zbret në pjesën e tretë të natës dhe ofron shans e mundësi për falje mëkatesh: „A ka kush që kërkon falje e t’ia fali mëkatet“, ndërsa ti, në vend që të kërkosh falje mëkatesh, ti vetmohesh dhe bën mëkate edhe më shumë. 

Nëse vetmohesh me ndonjë gjë të dyshimtë në errësirë dhe nefsi të motivon për mëkat turpërohu nga shikimi i Allahut dhe thuaj se Ai që ka krijuar errësirën më sheh edhe në vetmi! 

Kështu nuk ishte gjendja e muslimanëve. Ata vetmoheshin, jo për mëkate, por për të kryer adhurime. Një natë Omer b. Hattabi doli vetëm që të mos e shihte askush dhe hyri në një shtëpi. Pastaj hyri në një shtëpi tjetër. E pa një burrë por Omeri nuk e vërejti fare atë. 

E pa Talhaja, i cili filloi të dyshonte. Përse hyri në këtë shtëpi? Përse në këtë kohë dhe vetëm? Përse fshihet? Kur erdhi mëngjesi, Talhaja shkoi dhe hyri në atë shtëpi por nuk gjeti asgjë përveç një plake të verbër dhe të paralizuar. Ç’është puna e këtij njeriu që vjen tek ti?- e pyeti Talhaja. Gruaja fare nuk e dinte se ai ishte Omeri, prijësi i besimtarëve, kështu që iu përgjigj: Ai ka kohë që më vjen, ma pastron shtëpinë dhe e rregullon atë… 

Kështu kishte vepruar edhe Ebu bekri para tij, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë sahabet. Omeri vinte në xhami dhe vetmohej, e qortonte veten e tij e thoshte: Mjerë për ty o Omer nëse Allahu nuk të falë! 

Kërkimi i natës së Kadrit 

Një nga vlerat e këtyre dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, është se në një nga këto ditë është dhe nata e Kadrit, një nga netët më të mira të vitit, më e mirë se një mijë muaj. Nëse një njeriu i mundësohet ta adhurojë Zotin për 84 vite, vetëm adhurimi i natës së kadrit do të ishte më i mirë dhe më i vlefshëm se këto 84 vite adhurim. Kjo është një nga mirësitë dhe vlerat me të cilat është graduar ky umet. 

Thotë imam Nekhaij:”Puna e mirë në këtë natë, është më e mirë se puna e një mijë muajve.” 

Profeti Muhamed a.s ka thënë:”Kush falet natën e Kadrit, me besim dhe shpresë, do i falen gjynahet e parakaluara.” (Buharia dhe Muslim) 

“Me besim” d.m.th me besim tek Zoti për shpërblimin që ka adhurimi i kësaj nate. 

“Me shpresë” me shpresë se do e fitojë shpërblimin dhe sevapin vetëm nga Zoti. 

Nata e Kadrit gjendet në një nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Profeti Muhamed a.s thoshte:”Kërkojeni natën e Kadrit në netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit!” (Buhari) 

Shohim që Profeti a.s thotë se nata e Kadrit gjendet në njërën nga netët teke të dhjetë ditëve të fundit. 

Kjo natë gjendet më së shumti në shtatë ditët e fundit të dhjetë ditshit. Profeti a.s thotë në një hadith tjetër:”Kërkojeni në dhjetë ditët e fundit, nëse dikush prej jush është i dobët, mos heqë dorë nga shtatë ditët e fundit!” (Muslim) 

Nga shtatë ditët e fundit, nata më e mundshme për të qenë e Kadrit, është ajo e 27 e Ramazanit. Kjo, bazuar në hadithin e Ubej ibnu Kab, i cili kur dëgjoi se Abdullah ibnu Mesudi ka thënë:”Kush falet gjithë vitin e arrin natën e Kadrit” u përgjigj:”Pasha Zotin i cili nuk ka shok, nata e Kadrit është në Ramazan. Pasha Zotin unë e di cila natë është. Ajo është nata në të cilën i dërguari i Zotit a.s na urdhëroi të adhurojmë Zotin, nata e 27 e Ramazanit. Nga shenjat e saj, është se dielli i mëngjesit i ditës që pason, është i bardhë, pa rreze.” (Muslim) 

Prandaj nga besimtari pritet që ti japë jetë kësaj nate me adhurim, përmendje të Zotit, lexim Kurani, istigfar etj… 

Nata e Kadrit, kërkohet në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, duke punuar vepra të mira, jo duke mbajtur sytë nga shenja iluzionare të caktuara, siç mendojnë disa njerëz. 

Zoti në Kuran na tregon se natën e Kadrit zbresin melekët, por ato i ka pas parë vetëm i dërguari i Zotit a.s, dhe është e pamundur të shihen nga njerëzit. 

Hazret Ajshja r.a. e pyeti të Dërguarin e Allahut s.a.: Nëse gjej natën e Kadrit, ç’lutje duhet të bëj? Ai i tregoi këtë lutje: 

Allahumme inneke ‘afuvvun kerimun, tuhibbul-‘afve, fa’fu ‘annij!

O Allah! Je shumë Mëkatfalës, shumë Bujar. Të pëlqen falja. Më fal mua! [4]

O Zot ynë na fal!

[1] Transmeton Taberaniu me sened hasen 

[2] http://www.workforislam.com/forum/lofiversion/index.php/t881.html 

[3] Transmeton Ibni Maxhe ndërsa Shejh Albani ka cilësuar si autentik. Shih: Sahihu’l xhamii, 5028 

[4] Xhamiu et-Tirmidhi, kitab “Ed-Da’vat“, hadithi nr. 3513