Izraeli mbylli një pikë kryesore kufitare me Gazën, pasi militantët palestinezë hodhën raketa drejt Izraelit jugor. Dy njerëz, që besohet të kenë qenë punëtorë bujqësorë tajlandezë, u vranë dhe dhjetë u plagosën në anën izraelite.
Vendkalimi Kerem Shalom u hap vetëm për të lejuar hyrjen e kamionëve me ndihma nga Jordania, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kombet e Bashkuara e mirëpritën vendimin, por gjithashtu i bënë thirrje Izraelit që të hapë kalimin kryesor Erez, në mënyrë punonjësit humanitarë dhe furnizimet të mund të depërtojnë.
Dhuna midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit është përshkallëzuar qysh më 10 maj.

Autoritetet shëndetësore në Gaza, rajon që kontrollohet nga Hamasi, thonë se së paku 212 palestinezë, përfshirë gati 100 gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit.
Në Izrael, 12 vetë, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë në sulmet e Hamasit me raketa, thonë shërbimet mjekësore atje.

Izraeli tha të martën se në mesin e viktimave në Gaza janë së paku 150 militantë.
Agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara, Ocha, tha se 52,000 njerëz në Gaza janë zhvendosur.

Konflikti, më i rëndi në Gaza dhe Izrael qysh në vitin 2014, vjen pas disa javë tensionesh, të shkaktuara nga përplasjet midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin Lindor, një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë.