ABC News zbardh detaje të reja nga arrestimi i këngëtarit të njohur shqiptar Aleksandër Gjoka mbrëmjen e djeshme në Tiranë. 62-vjeçari u përfshi në një aksident në zonën e Farkës në kryeqytet.

Policia në momentin që ka arritur në vendin e ngjarjes i ka bërë testin përpos drejtuesit të makinës tjetër që u përfshi në aksident, edhe Gjokës, i cili ka rezultuar se kishte konsumuar alkool mbi normën e lejuar.

Nga aksidenti këngëtari ka marrë disa lëndime dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa ruhet me efektivë te dera. Kjo nuk është hera e parë që Gjoka prangoset për këtë vepër penale, pasi edhe përpara rreth 2 viteve u arrestua për këtë arsye.