“Në asnjë rast fermerët që janë shfrytëzues të tokës në këtë moment nuk do të privohen nga kjo e drejtë. Qëllimi i ligjit për shitjen e tokës bujqësore është pozitiv, nëse ata duan të investojnë, do të jenë në gjendje që të blejnë tokën,” tha ministri i Bujqësisë Arianit Hoxha në një paraqitje në emisionin “Top Tema” në TV Telma.

Ai shpjegoi se ligji miratohet në mënyrë transparente ku do të mund të diskutohet për të dhe tha se ka mekanizëm mbrojtës se nga cila klasë dhe sa përqind e tokës do të mund të shitet.

“Aktualisht, sipas të dhënave nga Kadastri, ka mbi 110 mijë hektarë tokë bujqësore që nuk është e punueshme dhe nuk ka interes për këtë. Ky do të ishte një motiv tjetër për ta vënë atë në funksion. Ky është qëllimi i ligjit – për të rritur të ardhurat e shtetit dhe për të rritur tokën e punueshme. Në asnjë rast fermerët aktual nuk do të parandalohen të blejnë tokë bujqësore ose t’u konfiskohet toka bujqësore për shitje,” shpjegoi Hoxha.

Ministri sqaroi se Ligji për Shitjen e Tokës Bujqësore nuk lejon shndërrimin automatik të tokës bujqësore pas 10 vjetësh.