Kombëtarja shqiptare qysh nga krijimi i saj në vitin 1930 ka luajtur 346 ndeshje miqësore dhe zyrtare me 66 kundërshtarë të ndryshëm nga e gjithë bota. Ndeshja e parë e kuqezinjve është miqësorja me Malin e Zi e luajtur në Shkodër në gusht të vitit 1946 (dhe e fituar nga Shqipëria 5-0), ndërsa ndeshja e parë zyrtare është ajo ndaj Jugosllavisë, e luajtur në Tiranë në tetor 1946 dhe që përfundoi me fitoren 3-2 të miqve.
Por cilët janë kundërshtarët me të cilët ka luajtur më shumë ndeshje Kombëtarja shqiptare në histori? Nëse i hedhim një sy statistikave Shqipëria ka më shumë përballje me Rumaninë dhe Gjermaninë: plot 17 të tilla me secilën.

Në fakt, me rumunët ne kemi luajtur një nga ndeshjet e para zyrtare në histori në tetor të vitit 1946 në kuadër të Kupës Ballkanike, sfidë e fituar nga kuqezinjtë me rezultatin 1-0 e që i dha trofeun Shqipërisë.
Ndaj Rumanisë jemi përballur 5 herë në ndeshje miqësore dhe 12 ndeshje zyrtare mes Kupës Ballkanike, eliminatoreve të Botërorit dhe eliminatoreve të Kampionatit Europian. Përballja e fundit mes Shqipërisë dhe Rumanisë është ajo e finaleve të Euro 2016 në Francë, që u fitua nga tanët me rezultatin 1-0 me gol të shënuar nga Armando Sadiku. Një ndeshje historike në pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në finalet e një kompeticioni madhor.

Me gjermanët do të luanim ndeshjen e parë në prill të vitit 1967 në transfertë, sfidë e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 1968, ndërsa e fundit ka qenë ajo e qershorit të vitit 2001 në Tiranë për eliminatoret e Botërorit 2002. Nga këto 17 përballje, kemi 2 ndeshje me Republikën Federale Gjermane (Gjermania Perëndimore) dhe 3 duele me Gjermaninë Lindore. Që të gjitha kanë qene ndeshje zyrtare dhe asnjë miqësore.

Gjithashtu, Shqipëria ka luajtur 13 herë me Gjeorgjinë dhe Greqinë, si edhe regjistron 12 përballje me Turqinë. Me Bullgarinë dhe Poloninë kemi luajtur nga 11 ndeshje për secilën, kurse me Danimarkën dhe Maqedoninë e Veriut kemi nga 10 përballje në histori.

Sakaq, ka edhe disa kundërshtarë me të cilët ne kemi luajtur vetëm një herë. Ato janë Argjentina, Meksika, Vietnami, Uzbekistani, Maroku, Jordania, Irani, Kuba dhe Kameruni.