Hetimet për aksidentin me tre të vdekur/ Shoku tregon komunikimet e fundit: Ishim bashkë në ceremoninë mortore! Ja çfarë më dërguan me mesazh para ngjarjes

Tre persona humben jetën, pasi automjeti, me të cilin po udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.

Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit të së mërkurës, në autostradën Milot-Thumanë, pranë fshatit Gjorm të Kurbinit. Viktimat e këtij aksidenti janë, Saber Dunga 45 vjeç banues në Durrës, Urim Pepa 39 vjeç banues në Tiranë dhe Nikoll Gjoni banues në Gjegjan të Pukës. Tre personat po lëviznin me një automjet “Toyota” me targë “AB 365 BX” në drejtim të Fushës-Krujës dhe pranë fshatit Gjorm, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, duke u përplasur me mbrojtësen anësore të një ure e ma pas ka përfunduar në një kanal me ujë. Saber Dunga dhe Urim Pepa u nxorën gjatë orëve të para të mëngjesit nga mjeti, ndërsa trupi i pajetë Nikoll Gjonit u gjet disa orë më pas nga palombarët e forcave RENEA që vijuan kontrollet në kanalin me ujë. Trupat e pajetë u dërguan në morgun e spitalit rajonal të Lezhës, ku iu nënshtruan autopsisë nga mjekët ligjorë e më pas u tërhoqën nga familjaret e tyre.

HETIMI

Dyshimet janë se shkak për aksidentin është bërë humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi për shkak të shpejtësisë së lartë të lëvizjes dhe errësirës në rrugë. Kjo pistë përforcohet nga fakti se makina ka çarë bordurën metalike para se të përfundojë në kanal, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që drejtuesi i mjetit të kenë qenë i përgjumur. Sipas të dhënave, 3 viktimat ishin shokë me njëri-tjetrin dhe po ktheheshin nga Puka ku kishin qenë në një ceremoni mortore tek një shoku i tyre, të cilit i kishte vdekur babai. Në kthim ata ishin ndaluar për të darkuar në një lokal për të vijuar më pas rrugëtimin drejt Tiranës.
Ndërkohë, Urim Pepa dhe Saber Dunga ishin biznesmenë. Ky i fundit kishte një hotel në qytetin e Durrësit, ndërsa Urim Pepa ishte ndërtues, por kishte edhe disa biznese të tjera. Dy javët e para të majit kanë prodhuar bilanc tragjik për shkak të aksidenteve në rrugë ku në pjesën dërmuese si shkak është gjetur shpejtësia dhe shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve. Vetëm në rrugët e qarkut të Lezhës, në harkun kohor të dy javëve, kanë ndodhur 3 aksidente me 5 viktima dhe 4 persona të plagosur.

DESHMIA E SHOKUT

Shoku i dy viktimave të aksidentit, Urim Pepës dhe Saber Dungës, thotë se kishin qenë bashkë te ceremonia mortore në Fushë-Arrëz dhe se kishte komunikuar me mesazhe deri pak orë para aksidentit me Saber Dungën. “Unë i kam pasur shokë të dy viktimat dhe një shokut tonë të përbashkët nga Fushë-Arrëzi i kishte vdekur babai. Ne vendosëm të shkonin te ceremonia mortore. Unë isha me makinën time, ndërsa viktimat me makinën e tyre. Unë jam nisur para tyre dhe shkova në Tiranë, ndërkohë që deri vonë kam komunikuar me mesazhe me Saber Dungën, i cili më tha se sa po niseshin dhe ata për të ardhur në Tiranë. Në orët e mëngjesit mora vesh se ishin aksidentuar dhe ndërruar jetë. Të them të drejtën ngjarja më ka tronditur shumë dhe se kuptoj fare se si ka ndodhur. Dyshoj se drejtuesi i mjetit ka qenë i përgjumur”, thotë shoku i viktimave.