Banorët në dy blloqe banimi në Gjermaninë perëndimore janë vënë në karantinë, pasi që një grua është diagnostikuar si e infektuar me variantin indian të COVID-19. Një zyrtar qeveritar ka njoftuar se disa prej 179 banorëve të godinës në Velbert-Birth të Westphalisë Veriore tanimë janë testuar për koronavirus.

Autoritetet përreth Evropës janë vënë në gjendje alarmi shkaku i mutacionit, i cili ka bërë kërdinë në Indi para se të depërtonte edhe në Britaninë e Madhe.

Numri i rasteve të konfirmuara të infektimit me koronavirus në Gjermani është ngritur të martën për 4 mijë e 209, për të arritur në gjithsej 3 milionë e 605 mijë, kanë treguar të dhënat e Institutit gjerman “Robert Koch”.

Ndërkaq, numri i vdekjeve të raportuara është rritur gjithashtu për 221, për të arritur në 86 mijë e 381.