Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, ka kërkuar lirimin nga detyra të 13 ambasadorëve të Kosovës, nëpër disa vende të ndryshme të botës.

Gazeta Blic ka raportuar ekskluzivisht këtë kërkesë të ministres Gërvalla drejtuar presidentes Vjosa Osmani, për lirimin nga detyra të këtyre ambasadorëve.

Gazeta Blic merr vesh se në mesin e të kërkuarve për lirim nga detyra, është edhe emri i ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

Cufaj ishte ambasador shumëvjeçar në ambasadën e Kosovës në Gjermani.

Beqë Cufaj, njihet ndryshe edhe si autor i shumë librave të botuara në gjuhën gjermane dhe të përkthyer në shumë gjuhë botërore.

Cufaj gjithashtu është shpërblyer me disa çmime si në Gjermani po ashtu edhe në trojet shqiptare.

Këto shkarkime janë konfirmuar edhe nga zyrtarë të ministrisë së Punëve të Jashtme.

Kreshnik Ahmeti, në një shkrim në rrjete sociale nuk ka dhënë arsye të një vendimi të tillë, duke thënë se për dëtaje do të flasë gjatë ditës së nesërme, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm. Lidhur me këtë, ministrja Gërvalla do të deklarohet më hollësisht gjatë ditës së nesërme”‘ ka shkruar Ahmeti.

Gazeta Blic do të raportojë ekskluzivisht emrat e ambasadorëve tjerë prej të cilëve është kërkuar lirimi i detyrës.