Besimtarët myslimanë kanë parandaluar një incident në sheshin ‘Skënderbej’ ditën e sotme!

Një 40-vjeçar është përpjekur të verë vetes flakën pas ceremonisë së faljes së Namazit të Ditës së Fitër Bajramit.

Pasi ka nxjerrë shishen me benzinë që e mbante në brez ai ka nisur të spërkasë trupin e tij, siç mund ta shihni edhe në foton e mëposhtme të shkrepur nga fotografi Franc Zhurda.

Ende nuk janë mësuar motivet e tentativës për tu vetëdjegur, por dëshmitarët thonë se 40-vjeçari fliste përçart dhe nuk ishte i vetëdijshëm.

Ai është neutralizuar fillimisht nga besimtarët ndërkohë që më pas e kanë marrë forcat e policisë së shtetit, të cilat e kanë prangosur.

Për ngjarjen në fjalë ka reaguar edhe KMSH ku në një prononcim ka thënë se ngjarja nuk ka lidhje me faljen e namazit të Bajramit. “Sot është ditë feste, ditë gëzimi dhe ngjarje të tilla nuk i shërbejnë mesazhit të kësaj feste. Problemeve mendore të një personi apo kushteve në të cilat ai ndodhet. Incidente të tilla nuk kanë të bëjnë aspak me një besimtar me një mendje të shëndoshë”, ishte reagimi i KMSH.