Policia e Shtetit të Luizianas i tha familjes së Ronald Greene se ai vdiq në një aksident automobilistik, gjatë një ndjekjeje nga policia për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Raporti paraprak nga policia tha se Green vdiq menjëherë pasi goditi një pemë. Por hetimet e mëvonshme zbuluan se Greene u mor në paraburgim dhe pak çaste më vonë shëndeti i tij u përkeqësua. Ai vdiq gjatë rrugës për në spital.

Glenwood Medical Center renditi shkakun kryesor të vdekjes së Greene si arrest kardiak. Ai gjithashtu u diagnostikua me një “dëmtim të paspecifikuar të kokës”.

Por më shumë se dy vjet më vonë, videot e kamerës së trupit që mbajnë policët, të publikuara nga Associated Press tregojnë atë që ndodhi vërtetë me Greene, pas përplasjes në një rrugë të errët jashtë qytetit verior të Luiziana më 10 maj 2019.

Në tre video të shkurtra të postuara nga agjencia e lajmeve Associeted Press, Greene mund të dëgjohet duke iu kërkuar falje oficerëve, duke pohuar se ishte i frikësuar dhe duke u lutur për mëshirën e tyre.

“Më fal. Jam i frikësuar. Oficer, jam i frikësuar. Unë jam vëllai yt. Unë jam i frikësuar.”, dëgjohet të thotë ai.

Greene mund të dëgjohet duke rënkuar i shtrirë në tokë teksa prangoset nga një oficer, ndërsa një tjetër e shkelmon atë disa herë dhe e tërheq zvarrë. Një oficer dëgjohet duke thënë: “Unë kam gjak gjithandej, shpresoj që mos të ketë SIDA”, ndërsa Greene vazhdon të rënkojë nga dhimbjet.

Associated Press raporton se Greene ka mbetur i shtrirë me fytyrë në tokë për më shumë se nëntë minuta ndërsa oficerët përdornin peceta për të fshirë gjakun e tij nga duart dhe fytyrat e tyre.

Publikimi i videove vjen ndërsa FBI dhe Divizioni i të Drejtave Civile i Departamentit të Drejtësisë në SHBA heton vdekjen e Green.