Agjencia Evropiane për Barëra sot kumtoi se ka filluar testimi në kohë reale i vaksinës kineze Sinovak kundër Kovid-19, në bazë të testimeve paraprake të cilat dëshmuan se prodhon përgjigje imunologjike kundër koronavirusit.

Të dhënat për vaksinë kineze do të hetohen në kohë reale që të përshpejtohet aprovimi potencial, kumtoi EMA.

Kjo është vaksina e parë kineze e testuar nga EMA me këtë metodë dhe vaksina e katërt në total, pas KjurVak, Novavaks dhe Sputnik V.

Kjo metodë u mundëson hetuesve t’i konfirmojnë të dhënat madje edhe para se të publikohen rezultatet përfundimtare, që e përshpejton procesin e miratimit.

Vaksina Sinovak ka dëshmuar efikasitet midis 50 dhe 90 për qind në studime të ndryshme dhe për momentin është miratuar për përdorim në Kinë, Indonezi, Brazil dhe Turqi.

Vaksina përmban versione të paaktivizuara të koronavirusit që i ndihmojnë trupit të krijojë përgjigje imunologjike.

Sinovak në fillim të prillit publikoi se është hapur fabrika e tretë për prodhimin e vaksinës së saj, rritje e dyfishtë e kapacitetit në dy miliardë doza në vit. Kompania publikoi se 200 milionë doza tashmë janë dërguar në mbarë botën.