Irlanda njoftoi sot se do të mirëpresë 10 nga azilkërkuesit e zbarkuar në brigjet italiane, duke u bërë vendi i parë europian që i përgjigjet thirrjes për solidaritet të nisur nga Roma dhe Komisioni Europian.

Më shumë se 2 200 migrantë mbërritën në ishullin e vogël italian të Lampedusas në hapësirën e disa ditëve, nga Tunizia dhe Libia.

“Ne po ndihmojmë Italinë duke pranuar dhjetë vetë si një gjest solidariteti”, tha një zëdhënës i përfaqësimit të përhershëm të Irlandës në BE.

Eurokomisionerja Ylva Johansson dhe ministrja e Brendshme italiane Luciana Lamorgese javën e kaluar u bënë thirrje vendeve anëtare të BE-së për të marrë disa nga migrantët që mbërritën në brigjet italiane.

Një zëdhënës i Komisionit Europian konfirmoi se Irlanda ishte i vetmi vend europian “deri më tani” që kishte rënë dakord të “zhvendoste” azilkërkuesit e arritur kohët e fundit në Itali.