Nuk ka më dyshim se Dua Lipa është një nga emrat më të mëdhenj të industrisë muzikore në gjithë botën! Mbrëmjen e kaluar ajo i ka vënë vulën suksesit me 2 çmime të fituara në “Brit Awards”. Këngëtarja me origjinë shqiptare ishte nominuar në tre kategori dhe prej tyre arriti të rrëmbente çmimet “Këngëtarja më e mirë” dhe “Albumi më i mirë” për albumin e saj “Future Nostalgia”.

Dua u shpreh shumë e lumtur për çmimet e fituara dhe falenderoi të gjithë bashkëpuntorët e saj teksa u ngjit në skenë për të marrë kupën e saj të fitores.

“Dua të them faleminderit çdokujt sepse ky album më ka mësuar shumë, besim, fuqi dhe kurajo. Më ka dhënë shumë dashuri dhe miqësi dhe jam shumë mirënjohëse për të gjithë njerëzit që krijuan këtë album”, u shpreh Dua pasi fitoi çmimin “Albumi më i mirë”.

Në fjalimin pas pranimit të çmimeve, ajo kërkoi rritje të pagave për punonjësit shëndetësorë të vijë së parë të frontit si dhe një medalje trimërie pas vdekjes për 20-vjeçarit, Folajimi Olubunmi-Adewole, i cili vdiq së fundmi pasi ra në lumin Thames për të shpëtuar një grua.

“Unë mendoj se ajo që duhet të bëjmë është që të gjithë duhet të japim një duartrokitje masive dhe t’i japim Boris (Johnson) një mesazh që të gjithë mbështesim një rritje të merituar të pagave për vijën tonë të frontit”.

Për këtë kërkesë së këngëtares shqiptare, ka reaguar dhe sekretari i mjedisit Eustice, i cili tha për “BBC Morning”:

“Është bërë një rritje e pagave. Ka pasur një ngrirje të pagave për pjesën më të madhe të sektorit publik dhe është gjithashtu e rëndësishme të pranojmë se në vitet e fundit ka pasur edhe disa rritje të pagave, veçanërisht për infermierët”.