Tre operacione antidrogë janë realizuar dje nga Policia e Shtetit në Lezhë, Fier dhe Korçë, duke goditur rastet e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanabis dhe heroinë.

Në Lezhë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative u organizua një operacion tek rrethi që shkon për në Shëngjin.

Informacionet flisnin për një shtetas që po qarkullonte me mjet në aksin rrugor Fushë Krujë – Shkodër, i cili dyshohej se po transportonte lëndë narkotike. Shërbimet e Policisë së Drejtorisë Vendore të Lezhë organizuan punën dhe në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shëngjinit” kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij. Gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz” me drejtues shtetasin Hidisen Dervishi, në bagazh është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Hidisen Dervishi, 27 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ndërkohë, vijon puna për zbulimin e bazës së prodhimit të drogës, si dhe destinacionin e saj, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

OPERACIONI NE FIER

Policia ka goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas një hetimi disa mujor në Fier, duke sekuestruar lëndë narkotike kanabis sativa dhe një armë gjahu pa leje. Në pranga është vënë një 60-vjeçar, ndërsa është shpallur në kërkim djali i tij. Policia tha dje se, në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një hetimi disamujor, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Petrit Hykaj, 60 vjeç dhe u shpall në kërkim Shkëlqim Hykaj 29 vjeç, banues në Gorishovë, Fier. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 2.2 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, e përgatitur gati për shitje, një peshore elektronike dhe një armë gjahu pa leje.

OPERACIONI NE KORÇE

Një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta, në doza të vogla është goditur nga Policia e Korçës, duke çuar në pranga një 32-vjeçar si shpërndarës i lëndëve narkotike. Policia e Korçës bën me dije se i arrestuari është shtetasi Spartak Çordhaku, i cili ishte dënuar edhe më parë për këtë arsye. Ndërkohë, është proceduar penalisht një 40-vjeçar, i cili u kap në momentin e blerjes së drogës, duke tentuar t’u largohet forcave të rendit. Policia njoftoi dje se specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, goditën një rast të shpërndarjes së tyre në doza të vogla. Si rezultat, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Spartak Çordhaku, 32 vjeç dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin O. K., 40 vjeç, banues në Korçë. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se në lagjen nr. 17, Korçë, një shtetas shpërndante lëndë narkotike të forta, janë organizuar shërbimet dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e shtetasit Spartak Çordhaku.

Ky shtetas, në banesën e tij, i kishte shitur shtetasit O. K., disa doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, i cili sapo ka konstatuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë ka tentuar të largohet me vrap, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por më pas u neutralizua. Nga veprimet e mëtejshme procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. Ç., u gjetën 23 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.