Rigjykimi për “27 prillin” nuk nënkupton as falje dhe as amnisti. Kështu vlerëson kryeministri Zoran Zaev sipas të cilit deklarata e presidentit Stevo Pendarovski nuk nënkupton ndërhyrje në punën e gjyqësorit. Zaev thotë se ligjërisht, çdo kush ka të drejtë të kërkojë përsëritje të procesit nëse sigurohen dëshmi të reja, por duke mos treguar nëse ka njohur për çfarë dëshmish bëhet fjalë.

Gjithkush ka të drejtë të nisë procedurë për kthimin e gjykimit derisa ka dëshmi dhe argumente të reja e që ndikojnë që gjykatësit të marrin vendim të tillë. Assesi falje, assesi amnisti. Ata e kanë të drejtën si të gjithë të tjerët, nëse ka dëshmi dhe momente të reja, le të veprohet. Ashtu ka vlerësuar edhe Presidenti – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Nga BDI thonë se deklarata e presidentit paraqet qëndrimin e tij individual me të cilin nuk pajtohen. Sipas tyre, vendimet gjyqësore duhet mbështetur në dëshmi dhe jo në porosi telefonike.

Pikëpamjet individuale nuk i konsideroj si ndërhyrje në gjyqësor por si koment të proceseve dhe si perspektivë personale të individëve të caktuar. BDI është tërësisht i angazhuar për një vetting në gjyqësorë, prokurori dhe politikë mbi gjitha si dhe marrje të vendimeve duke u mbështetur në sundimin e të drejtës dhe jo në marrjen e vendimeve mbi bazën e porosive telefonike – u shpreh Arbër Ademi, Deputet i BDI-së.

Opozita shqiptare vlerëson se deklarata e Presidentit Pendarovski se mbështet rigjykimin e procesit gjyqësor për 27 prillin nuk i përket një presidenti të një vendi anëtarë i NATO-s dhe se ky president deri tani nuk është deklaruar asnjëherë për rastet e montuara kundër shqiptarëve. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja njoftojnë se të premten lideri opozitar Hristijan Mickoski do të takohet me presidentin Pendarovski për të diskutuar modalitetet mbi hapjen e rastit “27 prilli”, epilog gjyqësorë i arritur mbi bazën e akuzës për cenim terrorist të rendit kushtetues.

Adrian Kerimi