Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, filloi vizitën e tij njëditore në Republikën e Kosovës me një takim me ministren e industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë Rozeta Hajdari, me të cilën u bisedua për bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme për qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor të krijojnë politika koherente dhe të qëndrueshme që do të rrisin konkurrentshmërinë e rajonit, në vend të konkurrencës midis vendeve, me ç’rast avancohet bashkëpunimi i ndërsjellë ekonomik për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe krijimin e një standardi më të lartë të jetesës për të gjithë qytetarët në cilindo vend ku ata jetojnë. Përmes “Procesit të Berlinit”, i cili realizohet me mbështetjen e vendeve me ndikim anëtare të BE-së, janë ndërmarrë hapa seriozë për të avancuar dialogun midis qeverive dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe kanë filluar reforma serioze që do të sjellin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Bashkëpunimi ekonomik midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, si dy vende fqinje dhe miqësore, ka një potencial serioz të thellohet edhe më shumë, përfunduan zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ministrja Hajdari dhe theksuan se duhet përshëndetur faktin se shkëmbimi tregtar në tre muajt e parë të vitit 2021 shënon rritje prej 30%.

Ministrja Hajdari dhe zëvendëskryeministri Bytyqi u zotuan se do të vazhdojnë me angazhimet e përbashkëta për të avancuar bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, por edhe të punohet në ngritjen e konkurrentshmërisë së rajonit në interes të të gjithë qytetarëve.