Non-pejpërit e ndryshëm për zgjidhje të problemit të Kosovës më shqetësojnë, pasi në Ballkan nuk janë shëruar të gjitha plagët, deklaroi kryeministri Zoran Zaev për gazetën serbe “Kurir”. Ai tha se gjithmonë kur Bashkimi Evropian i bllokon proceset eurointegruese po paraqiten non-papera dhe ide radikale për krijim të kufijve të reja në rajon. I pyetur nëse është i shqetësuar rreth paralajmërimeve për një Shqipëri të madhe, Zaevi u përgjigj se zgjidhja e kësaj çështjeje do të ishte nëse të gjitha vendet hyjnë në BE.

“Asnjëherë nuk mund të them Jo me siguri, kjo do të ishte e vështirë në Maqedoninë e Veriut për shkak se jemi vend anëtar i NATO-s dhe me çdo kërcënim ndaj territorit dhe integritetit tonë do të aktivizohej neni 5 nga marrëveshja me NATO-n. Megjithatë, nuk mund të them përfundimisht JO, për shkak se nuk e dini deri ku mund të shkojë dikush me provokimet. Andaj zgjidhja është që çdo vend të hyjë në BE-në”, u shpreh Zaev.

Në lidhje me kontestin me Bullgarinë dhe bllokadën e fillimit të negociatave me BE-në, Zaev tha se ekziston zgjidhje por duhet të zgjidhet momenti i vërtetë.

“Kur ka zgjedhje në Ballkan, këto janë momente të vështira, problemet po zgjidhen vështirë, ndërsa tani kishte zgjedhje në Bullgari. Kuptohemi njëjtë siç kuptohemi me Serbinë, flasim gjuhë të ngjashme dhe besoj se do të gjejmë një zgjidhje të mençur”, shtoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Për gjendjet në rajon dhe bllokadën e Bullgarisë për fillimin e negociatave të Maqedonisë, në intervistë për MIA, flet edhe Jorgos Katrugallos, ish- shefi i diplomacisë greke. Për relacionet Shkup – Sofje dhe veton e Bullgarisë, ai pret se liderët në Bullgari do të tregojnë guxim për t’u ballafaquar me problemet.

“Detyrat e marrëdhënieve të mira fqinjësore u takojnë vendeve kandidate, por edhe vendeve anëtare të BE-së. Dua të shpresoj se liderët në Bullgari do ta tregojnë të njëjtin guxim që e treguan liderët në Greqi dhe Maqedoni”, potencoi Jorgos Katrugallos – ish-ministër i Jashtëm i Greqisë.

Katrugallos në lidhje me non-paperin tha se kjo çështje është shumë e rrezikshme, se Ballkani vazhdon të jetë fuçi baruti me pikat e njohura të nxehta.