Rimëkëmbja e ekonomisë nga pasojat e pandemisë është qëllimi kryesor i qeverisë dhe Ministrisë së Financave, tha ministri i financave, Fatmir Besimi. Me procesin e imunizimit dhe vënies nën kontroll të pandemisë, edhe interesi i investitorëve do të rritet, kurse do të përshpejtohet edhe rritja ekonomike përmes rritjes së aktivitetit ekonomik. Besimi tha se këto vlerësime i ka të mbështetura nga shifrat zyrtare të cilat këtë vit janë në rritje, kurse përmes planit për rritje ekonomike do të synohet konsolidimi fiskal.

“Objektivi kryesor i planit është që përmes krijimit dhe shfrytëzimit të mekanizmave, instrumenteve, fondeve dhe burimeve të reja të financimit, të krijohet efekt i shumëfishtë, respektivisht përveç investimeve publike të planifikuara në vlerë prej rreth 4 miliardë euro për periudhën 2021-2025, të financuara nga Buxheti, fondet IPA dhe institucionet financiare ndërkombëtare, të mobilizohen disa herë më shumë mjete dhe investime nga sektori privat. Kështu, do të rriten investimet e përgjithshme, do të përshpejtohet rritja e bruto produktit vendor dhe do të përshpejtohet hapja e vendeve të reja të punës.”,- theksoi ministri i financave, Fatmir Besimi.