Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmjen e sotme se gjatë kohës kur ka qenë në pushtet nuk e ka shtuar pasurinë e tij me më shumë se 34 metra katror. Berisha foli në Opinion, në lidhje me aleatët e tij në kohën e qeverisjes, duke u ndalur tek Fatmir Mediu dhe Ilir Meta.

Berisha u shpreh se Mediu në kohën e tij është përballur me drejtësinë pa imunitet duke shtuar se ai është gjykuar edhe dy herë të tjera gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

Ndërkohë që në lidhje me presidentin Meta, Berisha tha se ai u akuzua për një video të bërë copy paste 29 herë, dhe për këtë dha dorëheqjen dhe u paraqit në gjykatë.

“Palmer të paraqesë provën më të vogël. Nëse ti flet, ti je. Nëse mendon se me deklarata mund të argumentosh atë që mendon, kjo është e pamundur. Deklaratat e Blinken është pa asnjë bazë. Do e marrim rresht për rresht. Është pa asnjë bazë. Kurrë nuk ka pasur Sali Berisha akuzë për keqpërdorim të fondeve publike. As nga kundërshtarët më të egër. Durrës-Kukës?

Ka pasur akuza për ministrin dhe ka qenë e tëra politike. Nuk ka pasur asnjë deklaratë për Sali Berishën. Blinken më ka përgëzuar për Bechtel-in. Kjo deklaratë është për periudhën kur kam qenë kryeministër dhe pas-kryeministër. Nuk ekziston për Berishën një deklaratë e vetme e keqpërdorimit të fondeve. Absurdi shkon aty sa thotë për pasuruar aleatët. Aleatët I pasuron një njeri që pasurohet për vete. Nuk mund të kuptoj kurrë një njeri që të pasurojë aleatët dhe të mos pasurojë veten.

Nuk kanë asnjë të dhënë dhe asnjë dokument që Sali Berisha sot pas 30 viteve ka pasuri të shtuar 34 metra katror më shumë se kam pasur në diktaturë. Nuk kam asnjë pasuri tjetër. Cilido që ta gjejë e ka të falur. Nëse ky njeri arriti të shtojë 34 metër katrorë shtëpinë e vet, mund të pasuronte ai të tjerët? Aty flitet për aleatë. Kam pasur republikanët, demokristianët, LSI. E nisim nga Fatmir Mediu. Ai pasi kemi ikur nga qeveria e kanë çuar në Gjykatë të Lartë edhe dy herë të tjera. Mirë unë, po Edi Rama e mbrojti Fatmir Mediun? Sali Berisha i ka hequr imunitetin e atij. Mund të më thotë kush me çfarë e pasuroi Sali Berisha Fatmir Mediun. Për çështjen e Gërdecit janë dënuar 40 vetë.

Është dënuar shefi i shtabit, disa gjeneralë. Mediu për një vendim të Gjykatës së Lartë që deklaroi që imuniteti i jepet personit dhe jo parlamentit nuk u gjykua. Edi Rama e ka dërguar du herë në gjykatë. Ilir Meta pati një problem. Doli video që ishte 29 herë copy paste. Ai dha dorëheqjen dhe shkoi në gjykatë. Presion politik bëhet kur nuk hiqet imuniteti. Nuk ka asnjë presion politik kur hiqet imuniteti. Po tani Edi Rama i bëri presion gjykatës? Fatmir Mediu Delijorgjin e ka dërguar në prokurori dhe prokurori ia mbylli çështjen”, tha Berisha.