Fitër Bajrami në Palestinë u prit nën ushtimën e bombardimeve nga Izraeli. Pavarësisht sulmeve nga forcat izraelite në të cilat dhjetëra palestinezë janë vrarë ditët e fundit, myslimanët palestinezë nxituan sot për faljen e Bajramit. Më shumë se 100 mijë besimtarë kryen namazin e Bajramit në Al-Aksa. Pas namazit të Bajramit në Xhaminë Al-Aksa u fal edhe namazi i të vdekurve në mungesë për të gjithë ata që humbën jetën nga sulmet e forcave izraelite gjatë ditëve të fundit të Ramazanit. Sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, në Gaza, më shumë se 400 persona janë lënduar që kur konflikti nisi dhe 67 të tjerë kanë humbur jetën. Më pas u mbajt edhe një protestë nën thirrjet “Liri”, “Jetët tona do t’i japim për Al-Aksën”.

Në Afganistan, talebanët dhe qeveria afgane shpallën një armëpushim treditor për Festën e Bajramit, pas javësh përleshje të ashpra. Në këtë mënyrë, afganët mundën të shënonin festën me miq dhe familjarë.

Për dallim nga Palestina dhe Izraeli që këtë Bajram po e kalojnë në një situatë mjaft të tensionuar, disa shtete të tjera festën e kanë shënuar nën masa të shtrënguara për mbrojtje nga virusi korona.

Në Mekë myslimanët u mblodhën para Qabesë, për të marrë pjesë në faljen e Bajramit, ndonëse më të paktë në numër për shkak të pandemisë.

Besimtarët me maska morën pjesë në faljet e përbashkëta në rrugët e kryeqytetin indonezian, Xhakarta. Vendi me popullatën më të madhe myslimane në botë lejoi faljet në xhami në zonat me rrezik të ulët, por xhamitë në zonat ku virusi qarkullon më shumë, qëndruan të mbyllura.

Në Bangladesh ndërkohë, dhjetëra e mijëra njerëz po largohen nga kryeqyteti Dhaka, për t’iu bashkuar familjeve në fshatra për bajram, pavarësisht izolimit kombëtar dhe pikave të kontrollit nëpër rrugë. Ekspertët druajnë për një rritje rastesh në vendin që ka edhe mungesë vaksinash.

Iraku, vendosi një “lockdown”, duke filluar të mërkurën dhe që synon të zgjasë 10 ditë. Për të kufizuar turmat dhe tubimet shoqërore, Egjipti ka urdhëruar dyqanet të mbyllen në orën 21:00 deri në 21 maj, ndërsa Tunizia ka vendosur një shtetrrethim dhe kufizime të lëvizjes deri më 16 maj. Megjithatë, shumë vende të tjera do të lehtësojnë kufizimet pasi infeksionet e raportuara ditore janë ulur. Kjo përfshin Jordaninë, e cila do të zvogëlojë shtetrrethimin natën duke filluar nga sot.