Sot, Austria dhe Sllovenia kanë vendosur flamuj të Izraelit, krahas flamujve të tyre shtetërorë dhe flamujve të BE-së, në shenjë solidarizimi me Izraelin pas sulmeve me raketa nga militantët në Gaza.

“I dënoj me vendosmërinë më të lartë sulmet kundër Izraelit në Rripin e Gazës. Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten nga këto sulme. Për të shfaqur solidaritet, ne e kemi ngritur flamurin izraelit”, shkroi kancelari austriak, Sebastian Kurz, në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, ministri austriak i Punëve të Jashtme, Alexander Schallenberg, deklaroi: “Asgjë nuk i justifikon mbi 1.000 raketa që Hamasi dhe grupet e tjera terroriste kanë hedhur deri më tani në Izrael nga Gaza. Ne e mbështesim fuqishëm sigurinë e Izraelit”, shkruan France24.

Po ashtu, veprim të ngjashëm si të Austrisë bëri edhe Sllovenia. Disa flamuj izraelitë u vendosën në ndërtesat qeveritare të Sllovenisë në shenjë solidarizimi.

Kryeministri slloven, Janez Jansa, shkroi: “Si shenjë solidarizimi me Izraelin, flamuri izraelit është ngritur në ndërtesat e Qeverisë së Sllovenisë. Ne i dënojmë sulmet terroriste dhe i qëndrojmë pranë Izraelit”.