Atletico Madridi e ka mposhtur Osasunan me përmbysje 2:1 dhe tani është vetëm një fitore larg titullit në La Liga, ndërkohë që Real Madridi e mundi 1:0 Athletic Bilbaon duke mbetur në garë për titull deri në ditën e fundit të sezonit në La Liga.

Barcelona, në anën tjetër, është jashtë garës edhe zyrtarisht, pasi u mposht 2:1 nga Celta Vigo.

Rezultatet e sotme të Atletico Madridit dhe Real Madridit nënkuptojnë se titulli në La Liga do të vendoset në ditën e fundit të sezonit 2020/21.

Atletico e viziton Real Valladolidin në ditën e fundit si lidere me 83 pikë, dy më shumë se Real Madridi, dhe do ta fitojë titullin për herë të 11-të në historinë e vet me një fitore eventuale.

Real Madridi, ndërkohë, duhet të shpresojë në humbjen apo barazimin e Atleticos dhe ta mposhtë vetë Villarreallin për ta mbrojtur titullin në La Liga.

Luis Suarez dhe Ian Oblak ishin shpëtimtarët e skuadrës së Diego Simeones të dielën në Wanda Metropolitano.

Atleticos iu anulua një gol i Stefan Savic për pozitë jashtë lojës, para se Ante Budimir ta trondiste atë duke e kaluar Osasunan në epërsi në minutën e 75-të. Topi i goditur nga ai me kokë e kishte kaluar vijën fundore pavaresisht pritjes së Oblakut. VAR-i ndërhyu dhe e pranoi golin.

Renan Lodi e ktheu Atleticon në lojë duke shënuar gol fantastik nga afërsia, pasi u shërbye nga Joao Felix në minutën e 82-të, para se shpëtimtari Suarez t’ia fitonte tri pikë skuadrës së Simeoens me një gol nga afërsia.

Në minutën e 95-të, Oblak e shpëtoi Atleticon nga goli i barazimit pasi e priti goditjen e rrezikshme të Luis Ezequiel Avila.

Atletico i shkon Valladolidit javën e ardhshme me synim për ta fituar titullin e parë që prej vitit 2014.