Deputeti i BDI-së, Berat Ajdari, përmes një konference për media ka kërkuar përgjegjësi morale nga kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, të cilin e ka akuzuar se ka spiunuar banorët e komunës së Vrapçishtit duke i akuzuar për vepra me veprime kundër ligjore, shkruan gazeta LAJM.

“Sot para juve kemi dalë të kërkojmë përgjegjësi morale nga kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani i cili përmes një shkrese skandaloze që i ngjason atyre të periudhës së komunizmit ka spiunuar banorët e komunës së Vrapçishtit duke i akuzuar për vepra të cilat lidhen kinse me veprime kundër ligjore. Me këtë rast, ne si grup parlamentar i partisë më të madhe shqiptare dhe bartëse e përgjegjësisë nga ana e qytetarëve, Bashkimi Demokratik për Integrim kërkojmë nga autoritetet koalicionit opozitar, përkatësisht Aleanca për Shqiptarët pjesë e të cilës është kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, të veprojë pa asnjë vonesë, por edhe të distancohen nga veprimi i anëtarit të tyre i cili nuk i ngjason një kryetari që ka marrë besimin e qytetarëve. Unë, Berat Ajdari, si ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, njëjte si të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm, shpreh indinjatë të thellë ndaj veprimit kontrovers të kryetarit të komunës së Vrapçishtit, të cilit i pengon edhe simboli i shenjtë i shqiptarëve, shqiponja dy krenare. Që ky akt të jetë akoma më i turpshëm, Isen Shabani autoriteteve policore u është drejtuar vetëm në gjuhën maqedonase duke mos respektuar Ligjin e dygjuhësisë duke anashkaluar të njëjtin zbatimin e të cilit e kërkojnë ditë e natë. Kryetari i lartpërmendur duke keqpërdorur pozitën e tij përmes një shkrese dërguara autoriteteve policore ka bërë denoncimin e disa banorëve të fshatit Negotinë të komunës së Vrapçishtit gjoja se ata në mënyrë të paligjshme, brenda natës në objektin e komunës në fshatin Negotinë kanë vendosur shqiponjën dy krenare. Sot para jush ftoj kryetarët e koalicionit opozitar, Zijadin Sela dhe Afrim Gashi, që të dalin publikisht të sqarohen mbi rastin në fjalë, tu kërkojnë falje shqiptarëve e njëkohësisht edhe të dënojnë këtë akt të kreut të komunës së Vrapçishtit. Ky akt i Isen Shabanit tregon fytyrën e vërtet të atij dhe të bashkëpartiakëve bashkë me patriotizmin e rrejshëm që mundohen ta shesin tek qytetarët shqiptar. Në fund nga gjithë kjo konstatojmë se kur një kryetar komune spiunon ata që ia kanë dhënë besimin për të drejtuar komunën, imagjinoni çfarë mund të bëjnë sikur të njëjtët të jenë në pushtet!”, thuhet në reagimin e deputetit të BDI-së, Berat Ajdari.