Nën përkujdesjen e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti sot me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve është organizuar Akademi përkujtimore për të gjithë dëshmorët e rënë.

Me këtë rast, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe prijësi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, z. Ahmeti mbajti fjalim rasti, duke folur mbi luftën dhe sakrificën e popullit shqiptarë, përkujtimin mbi dëshmorët dhe të rënët për lirinë që ne sot e gëzojmë, për të arriturat e shqiptarëve dhe barazinë si dhe për rrugën të cilën duhet ndjekur populli jonë dhe ai në rajon drejtë heqjes së kufirit mes tyre.

Në vazhdim ju sjellim fjalimin integral të z. Ahmeti.

Të nderuar bashkëluftëtarë,

Të nderuar familje të dëshmorëve,

Të nderuar të pranishëm,

Sot është 5 Maji dita e përkujtimit, dita e mos-harrimit, të atyre ngjarjeve të mëdha që ndodhën tash e 20 vite më parë, ne në çdo përvjetor dhe në çdo 5 Maj e freskojmë kujtesën tonë, e duke freskuar kujtesën tonë bëjmë porosi për gjeneratat e ardhshme se e kaluara nuk ka qenë një dramë me ca akte por ka qenë një moment sakrificash, dhimbjesh, për më të afërmit, për familjet, por njëherësh pa këta sakrifica por edhe pa dhimbje nuk do të bëhej ajo që është bërë që me shekuj shqiptarët kishin punuar, luftuar për ditë të bardha e të lira.

Sot bëhen 20 vjet ku përkujtohen dëshmorët e parë, përkujtohen dëshmorët nga të gjithë ne, me vizita në familje, varreza, por për shkak të situatës së jashtëzakonshme që kemi, këto vizita kanë qenë të kufizuara dhe vlerësuam që këtë 20 vjetor të mblidhemi tok këtu në respekt të heronjve dhe dëshmorëve dhe familjeve të tyre dhe në përkujtim për të gjithë familjet dhe atdhetarë e patriotët se në asnjë moment nuk do të shmangim porositë dhe idealet për të cilat ranë e u sakrifikuan bashkëluftëtarët, heronjtë dhe dëshmorët tanë.

Ne kemi arritur mjaft, por e mjaftueshme asnjëherë nuk është përderisa misioni jonë, punët tona akoma nuk janë përmbyllur, kemi edhe shumë për të bërë sepse kemi obligim ndaj të rënëve, kemi obligim ndaj gjakut që është derdhur dhe para familjeve të dëshmorëve e misionarëve të mëdhenj që ka pasur kombi ynë.

Ne jemi të vetëdijshëm për përballjet që na presin, por njëherësh jemi edhe të përgatitur për ato përballje, as nuk jemi frikësuar e as nuk do të frikësohemi nga vështirësitë dhe përballjet që na presin, amanet e ideal i dëshmorëve ka qenë që flamuri kombëtarë të valëvitet i lirë, ky amanet është realizuar, amanet ka qenë që gjuha e nënës të ligjërohet pa pengesa, kemi arritur që ta bëjmë dhe të ligjërohet në tre universitete në gjuhën e nënë së dëshmorëve të rënë, kemi arritur të institucionalizojmë krenarinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që dikur ishte i përdhosur dhe sakatosur, them përsëri që edhe shumë punë para nesh ka, sot pavarësisht të arriturave që janë bërë, në vendin tonë dhe në rajon sigurisht që ka forca akoma që duan t’i hedhin flakë rajonit, duke bërë projekte e strategji ku ne shqiptarët e Maqedonisë të jemi të kujdesshëm dhe mos biem në grackë të provokimeve me gjoja oferta të nacionalistëve, gjoja se për një rend më të mirë shoqëroro-politik sepse për marrëveshjen e Ohrit çmimi ka qenë i lartë, është një marrëveshje e cila ndryshoi statusin politik dhe juridik të shqiptarëve në trojet e veta, ne e mohuam ndarjen e këtij shteti e konsideruam dhe në të kaluarën si shtet tonin por jo si qiraxhi por si zot të shtëpisë, dalzotës në shtëpinë tonë përderisa ke gjuhë e flamur e universitete sigurisht që je, çdo eksperiment nuk do të ishte i leverdishëm për ne shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për ne detyrë është të kapim hapin e duhur e të anëtarësojnë vendin në BE ashtu siç e bëmë në NATO, detyrë është që të punojmë bashkë edhe me bashkëqytetarët tanë që ky vend është i përbashkët dhe duhet të anëtarësojmë në Bashkimin Evropian, bashkë të angazhohemi dhe kufijtë e ndarjes të hiqen, nuk ka arsye të ketë kufij midis shqiptarëve dhe popujve tjerë por të vendoset një standard siç e ka vendos Evropa e bashkuar, ne nuk kërkojmë më shumë se sa vet standardet që i ka vendos BE-ja, e kaluara është tepër e hidhur, e dhimbshme, ne kemi qenë dhe mbetemi luftëtarë, e kalojmë të kaluarën për shkak të dhembshurisë dhe nuk duam që ajo e kaluar të përsëritet por të shohim se si mund të ecim përpara dhe të ndërtojmë vlera të cilat na ofrojnë qytetërimet evropiane.

Në çdo 5 Maj sigurisht që ka kujtime, në çdo 5 Maj ne kujtojmë të rënët, ne reflektojmë të shohim se çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet bërë, e çfarë nuk kemi bërë, prandaj me këtë rast do të doja që të rrisim kujdesin në veçanti për përmendoret, varrezat e dëshmorëve ashtu siç vendosëm gurrë themelin në komunë të Likovës në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Sllupçan për përkujtim të të rënëve, të shohim edhe në hapësira tjera ku janë varrezat e dëshmorëve që të jemi në kujdes sepse kështu kryejmë detyrim moral dhe kombëtarë dhe mbesim në kujtesë për brezat që vijnë sepse të arriturat kanë një çmim, e ai çmim nuk ka çmim, është vetë jeta.

Prandaj këta burra, gra e nëna, para lirisë kanë vënë çmimin më të lartë që mund të çmohet, jetën.

Lavdi gjithë të rënëve për liri, rroftë populli shqiptarë.