Që prej se u lansua më 2013 nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, nisma “Brezi dhe Rruga” ka ndarë qindra miliarda dollarë për infrastrukturën e jashtme, duke rritur tregtinë dhe duke hapur rrugë që Pekini të krijojë lidhje të reja politike dhe ekonomike në mbarë botën, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Kjo ndërmarrje kaq e madhe – që presidenti Xi e ka cilësuar si “projekt të shekullit” – është shndërruar në shtyllën kryesore të politikës së jashtme kineze dhe një mjet strategjik për Pekinin, derisa Kina ka thelluar partneritetin e saj dhe ka rritur ndikimin.

Nisma “Brezi dhe Rruga”, që prej themelimit ka mbështetur organizata ndërkombëtare në mbi 150 shtete – përfshirë edhe shumë në Perëndim – dhe ka zgjeruar fushëveprimin edhe në porte detare, tubacione dhe rrugë, por edhe në fushën e teknologjisë digjitale, atë të kujdesit shëndetësor dhe energjinë e gjelbër.

Por, zhgënjimi në rritje në mesin e vendeve partnere me realizimin e projekteve, hapësira për më shumë investime si dhe shqetësimi në rritje për implikimet strategjike të nismës “Brezi dhe Rruga”, mund të kenë hapur rrugën që të shfaqet një alternativë e re.

Përpara mbajtjes së samitit të Grupit të G7-ës, që do të mbahet në qershor në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti amerikan, Joe Biden i ka propozuar kryeministrit britanik, Boris Johnson që të krijojë një plan për infrastrukturën, që do të udhëhiqej nga Perëndimi, e që do ta rivalizonte nismën e Kinës.

“Tani ka një mundësi reale. Kërkesa e madhe botërore për investime në infrastrukturë tejkalon aftësinë çdo vendi që ta plotësojë këtë kërkesë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Jonathan Hillman, drejtor i Projektit për Rilidhjen e Azisë në Qendrën Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS). “Edhe vlerësimet më të ekzagjeruara të nismës ‘Brezi dhe Rruga’ nuk do të mund të përmbushin kërkesat e botës”, tha ai.

Gjatë samitit të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), që do të mbahet më 11-13 qershor, Kina pritet të jetë tema kryesore e agjendës së bisedimeve.

Në G7 bëjnë pjesë Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, në samit do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit nga Australia, India dhe Koreja e Jugut.

Krijimi i një alternative karshi nismës “Brezi dhe Rruga” mund të vijë edhe më tepër në fokus, teksa presidenti Biden po shtyn përpara planet për të krijuar një aleancë të demokracive, për të kundërpeshuar ndikimin në rritje të Kinës.

Në mars, Biden deklaroi se ai do të parandalojë që Kina të kalojë SHBA-në dhe të shndërrohet “në shtetin më të fuqishëm në botë” dhe tha se administrata e tij ka krijuar plane, që kanë për qëllim të rrisin bashkëpunimin mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij.

Bashkimi Evropian dhe India më 8 maj u pajtuan për të rritur bashkëpunimin e tyre për infrastrukturën dhe fushën digjitale. Kjo marrëveshje ka në fokus forcimin e standardeve të rregullatorëve për teknologjitë e reja.

Hillman tha se është koha e duhur, që ekonomitë e avancuara të ofrojnë alternativat e tyre për ta rivalizuar nismën “Brezi dhe Rruga”. Sipas tij, këto alternativa duhet të kenë në fokus transparencën për projektet me cilësi më të lartë, që do të realizoheshin në mbarë botën e zhvilluar.

Me burimet e tyre të përbashkëta dhe një konvergjencë në rritje në mesin e aleatëve se si t’i qasen zhvillimit, veçmas të Brukselit dhe Uashingtonit, planet e infrastrukturës së Perëndimit mund të kenë një shtytje, që u ka munguar së fundmi.

“Shtetet e Bashkuara tani janë më të afruara me partnerët evropianë kur bëhet fjalë për çështje mjedisore dhe kjo krijon më shumë mundësi për bashkëpunim”, tha Hillman. “Ekziston një besim që qëndron pas këtyre bisedimeve, që më parë nuk ekzistonte”.

Mundësi të reja

Kjo iniciativë e re vjen në kohën kur bota në zhvillim po lufton me presionet ekonomike që ka sjellë pandemia dhe përderisa nisma e Kinës “Brezi dhe Rruga” po përshkohet me kundërthënie.

Banka Botërore ka thënë se pandemia COVID-19 do ta zhysë ekonominë botërore në recesionin më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kërkesat e botës për infrastrukturë – ku gjatë dy dekadave të ardhshme vlerësohet se këto kërkesa do të kapin shifrën e 94 trilionë dollarëve – janë ende të paplotësuara.

Viteve të fundit, nisma “Brezi dhe Rruga” është përballur edhe me pyetjet lidhur me vlerën komerciale të shumë prej projekteve të saj, por edhe për shqetësimet për rritjen e borxhit dhe për praktikat e paqarta të huazimit të parave. Gjithashtu, kjo nismë është përballur me kritikën se është një mjet që Kina përdor për të ushtruar kontroll.

Në muajin prill, Mali i Zi kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta ndihmojë për ta shlyer një borxh në vlerë prej një miliard dollarësh që i ka Kinës. Këto mjete, Podgorica i ka marrë për ndërtimin e një autostrade.

Një automjet duke kaluar nëpër seksionin e parë të një autostrade që lidh qytetin e Tivarit në Mal të Zi me Serbinë.

Shqetësimet për borxhin dhe transparencën po ashtu kishte në muajin maj, kur Hungaria njoftoi se ka marrë 1.5 miliard dollarë hua për ndërtimin e një universiteti kinez. Ky njoftim erdhi pasi në prill të vitit 2020, Qeveria hungareze vendosi që të mbajë të fshehura të gjitha detajet e një huaje në vlerë prej 1.9 miliard dollarësh që mori nga Kina, për ndërtimin e një hekurudhe, që lidh Budapestin me Beogradin.

Po ashtu ka shqetësime lidhur me kriteret e marrëveshjeve për projektet e nismës “Brezi dhe Rruga”. Një studim i kryer nga Qendra Globale për Zhvillim, ka analizuar 100 kontrata të Kinës, ku është gjetur se marrëveshjet kishin klauzola për mbajtjen e fshehtë të informacioneve, gjë që mund të lejojë entitetet kineze të ndikojnë në politikat e shteteve që marrin hua.

“Nisma ‘Brezi dhe Rruga’ tashmë ka humbur shkëlqimin”, tha për Radion Evropa e Lirë, Theresa Fallon, drejtoreshë e Qendrës për Studime Rusi, Evropë dhe Azi. “Pozicionet ndaj Kinës tashmë janë forcuar dhe ky është shansi i Evropës që të fillojë të mendojë në mënyrë strategjike për rajonin dhe më gjerë”.

Ende janë duke u diskutuar idetë se si do të mund të dukej alternativa e Perëndimit, por me gjasë kjo alternativë pritet të mundohet që të forcojë marrëveshjet e kaluara dhe të varet nga fondet publike dhe private.

Bashkimi Evropian më 2018 lansoi një plan të lidhjes dhe nënshkroi një marrëveshje me Japoninë më 2019. Këtë marrëveshje, ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe e kishte quajtur “një lidhje të qëndrueshme, të bazuar në rregullat e lidhjes që nga Indiano-Paqësori në Ballkanin Perëndimor dhe në Afrikë”.

Shtetet e Bashkuara më 2018 kishin miratuar të ashtuquajturin Akt të Ndërtimit, që ka për qëllim rritjen e investimeve nga sektori privat në vendet në zhvillim dhe po ashtu lansuan “Rrjetin Pika e Kaltër” me Japoninë dhe Australinë më 2019, si një mënyrë për të pasur standarde në projektet infrastrukturore.

Megjithatë, asnjëra nga këto nisma nuk ka dhënë rezultate konkrete, duke ngritur shqetësimin se Perëndimi nuk është në gjendje që të ofrojë një alternativë të vërtetë ndaj vizionit ekonomik, që mbështetet nga shteti, që e ka prezantuar presidenti kinez, Xi.

Sipas Fallon, shtetet perëndimore nuk duhet të fokusohen që t’i ngjajnë iniciativës së Kinës, sa i përket volumit të financimit, por në vend të kësaj, duhet të shikojnë që të përdorin një shtytje të infrastrukturës, që projektet të ndërtohen me standarde më të larta dhe që të ketë më shumë transparencë gjatë negocimit të kontratave të projekteve.

“Thjesht, prania në terren rrit ndikimin në Kinë, duke i bërë ata që të përmirësojnë ofertat e tyre dhe të jenë më transparentë, në mënyrë që të mund të konkurrojnë”, tha Fallon.

Si mund të duket alternativa e Perëndimit?

Teksa përpjekjet për të gjetur një alternativë për ta rivalizuar Kinën, nisma e Pekinit tashmë po përballet me shumë pengesa.

Aktualisht, vendeve perëndimore iu mungon koordinimi në bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës. Prandaj, kjo e bën të pamundur që të materializohet një iniciativë e unifikuar që do të mund ta rivalizonte nismën “Brezi dhe Rruga”. Analistët thonë se çdo iniciativë që mund të ndërmerret në të ardhmen nga Perëndimi, me gjasë do të jenë një përzierje e projekteve të ndara, por të koordinuara në mes të aktorëve të ndryshëm, siç janë Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Japonia dhe India.

“Interesi politik rreth kësaj ideje është duke lëvizur, por krijimi i një alternative të përbashkët dhe si do të mund të dukej ajo, ende nuk është zhvilluar”, tha për Radion Evropa e Lirë, Andrew Small, anëtar i Fondit gjerman Marshall në Berlin. “Ka qenë mjaft e vështirë për sistemin e çdo shteti që ta bëjë këtë vetë, e jo më që të gjithë shtetet të bashkëpunojnë dhe të koordinohen së bashku”.

Një tjetër pengesë potenciale është financimi. Përderisa institucionet publike nga shtetet e G7-ës mund të ofrojnë financim, një pjesë e madhe e fondeve do të duhej të vinte nga sektori privat, që tradicionalisht është më hezitues që të përfshihet në projekte të mëdha infrastrukturore.

Për më tepër, shumë aktorë po ashtu janë më të kujdesshëm, kur bëhet fjalë për krijimin e iniciativave të reja që mund të shihen si rivalë të nismës “Brezi dhe Rruga” apo të çfarëdo iniciative që mund të shihet si anti-Kinë.

Daniel Markey, profesor në Universitetin Johns Hopkins, njëherësh ish-zyrtar në Departamentin amerikan të Shtetit, tha se çfarëdo alternative që mund të krijohet në të ardhmen, duhet të mundohet që partneriteti të bazohet mbi standarde dhe norma të përbashkëta.

Rritja e kompanive vendore të teknologjisë në Kinë përmes nismës “Brezi dhe Rruga”, i ka mundësuar këtyre kompanive që të kenë një pozitë dominuese në mbarë botën dhe e ka lejuar Pekinin që të vendosë standardet për shumë prej teknologjive të gjeneratës së re. Markey tha se çdo nismë e re duhet të fokusohet në sektorët krucialë dhe jo vetëm të investojë në infrastrukturë.

“Në vend të hartimit të një strategjie që do t’i kundërpërgjigjej drejtpërdrejtë nismës ‘Brezi dhe Rruga’, qasja e Uashingtonit duhet të përdorë pikat e forta të SHBA-së dhe aleatëve të saj dhe jo të tentojë që ta mposhtë Kinën në lojën e saj apo në shtëpinë e saj”, tha ai./REL/