Ushtarët e vendit, bashkë me ata amerikan, bullgar e grek janë rreshtuar krah për krah, për “Goditjen vendimtare 21”.

E në ndihmë iu vijnë edhe aeroplanët F16 nga Greqia.

Ky është ushtrimi me i madh ushtarak i ndodhur ndonjëherë në vendin tonë.

E sot kur ishte stërvitja e fundit, erdhën krerët shtetërorë.

I pari i ushtrisë Stevo Pendarovski pati edhe pritje solemne.

Komandanti suprem tha se një stërvitje e tillë është e para e këtij lloji prej kur Maqedonia e Veriut është në NATO.

“Përgatitja e NATO-s varet nga ushtritë e shteteve anëtare të NATO-së, ndërsa shkalla e përgatitjes nuk mund të kontrollohet nga zyrat, por në terren në stërvitje ushtarake. Sot me sukses e kryejmë stërvitjen “Goditje përfundimtare 21”, është një stërvitje e parë e këtij lloji prej kur jemi anëtarë e NATO-së”, deklaroi Pendarovski.

E ministrja e mbrojtjes në fund të fjalimit pati edhe një mesazh për fqinjët.

“Ashtu siç kanë bashkëpunuar ushtarët tanë dhe oficerët dhe ushtritë tona të përbashkëta ashtu në javët në vijim të punojnë edhe të zgjedhurit tanë dhe përfaqësuesit dhe politikan dhe të marrin vendime që do të ketë investime si politike, dhe jo vetëm ushtarake në të mirën e sigurisë dhe të ardhmes”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Për ta parë këtë stërvitje i pranishëm ishte edhe Kryeministri Zoran Zaev. Sipas tij bashkëpunimi tregoi se bashkë jemi më të fortë. Gjithashtu aty ishte edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, zëvendëskomandanti i forcave ushtarake të SHBA për Evropë dhe Azi Xhed Shaertël.
Nga afër ushtrimet i pa edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kejt Meri Bërns.