Incidenti i ndodhur të dielën ndaj një grupi të bjeshkatarëve që ishin duke ecur në rrethinën e Zubin Potokut në veri të vendit, ka ngjallur reagime të shumta.

Gjuajtja me armë nga një qytetar ndaj grupit të bjeshkatarëve, ka shkaktuar frikë tek sportistët duke i detyruar grupin prej rreth 50 personave që të kthehen prapa.

E për këtë incident ka folur edhe Bashkimi Evropian, i cili në një përgjigje për lajmi.net e ka dënuar këtë akt të dhunës.

BE thotë se inkurajon autoritetet përkatëse të nivelit qendror dhe lokal që të punojnë në drejtim të garantimit të lirisë së lëvizjes dhe sigurisë për secilin qytetar të Kosovës.

“Bashkimi Evropian dënon çdo akt të dhunës. Incidenti që ju i jeni referuar aktualisht është nën hetim nga Policia e Kosovës. Ne inkurajojmë autoritetet përkatëse të nivelit qëndror dhe lokal të punojnë në drejtim të garantimit të lirisë së lëvizjes dhe të punohet për sigurinë e secilit banor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Për incidentin në veri është kritikuar edhe Policia e Kosovës, për të cilët ishte raportuar se pas marrjes së informacionit nga pjesëtarët e grupit, nuk kishin shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Por, në një reagim për media nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se pjesëtarë të policisë kanë shkuar në vendngjarje por nuk kanë gjetur asnjë gëzhojë.