KRSKRR-ja me thirrje: “Të avancojmë kulturën në komunikacion duke filluar secili prej vetes dhe përmes shembullit personal për të kontribuuar për komunikacion më të sigurt”.

Duke e njohur nevojën për të forcuar ndërgjegjësimin mbi kulturën në komunikacion, më 11 maj 2015, në Hungari, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për herë të parë u organizua ngjarja në nder të ndërgjegjësimit mbi rëndësinë dhe ndikimin e kulturës së komunikacionit mbi sigurinë në komunikacion. Kjo ngjarje ishte shndërruar në manifestim tradicional të njohur si “DITA E KULTURËS NË KOMUNIKACION”.

Kultura e komunikacionit është element shumë i rëndësishëm i sigurisë në komunikacion dhe nuk është vetëm njohja e rregullave të komunikacionit dhe zotërimi i aftësive dhe guximi për të ngasur automjet, por njëkohësisht është edhe shprehi e respektimit dhe zbatimit të tyre të rregullt dhe të pakushtëzuar. Me fjalë të tjera, kultura e komunikacionit është mënyrë e perceptimit të marrëdhënieve në komunikacion, mënyrë e lëvizjes dhe sjelljes në komunikacion që duhet të jetë në drejtim të përmbushjes së interesave të përgjithshme dhe të përbashkëta të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, që është zhvillimi i vazhdueshëm dhe i sigurt i komunikacionit.

Kultura e komunikacionit është pjesë e kulturës së përgjithshme sociale. Ndërtimi i kulturës së komunikacionit është proces i vazhdueshëm, duke filluar që nga mosha e re. Procesi i edukimit, përkatësisht procesi i ndërtimit të kulturës së komunikacionit është proces shumë më i lehtë sesa procesi i ndryshimit të shprehive dhe kulturës në komunikacion. Kjo është arsyeja pse është e domosdoshme t’u mësohet fëmijëve kultura e komunikacionit që nga mosha e hershme. Përvoja tregon se u mësojmë fëmijëve shumë gjëra dhe nuk i mësojmë aq sa duhet për të qenë të sigurt dhe pjesëmarrës shembullorë në komunikacion.

Familja dhe institucionet edukativo-arsimore kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës së komunikacionit të fëmijëve. Qëndrimi i prindit në komunikacion, pa dallim nëse është në rolin e këmbësorit ose shoferit të automjetit në të cilin ngaset edhe fëmija, si dhe respektimi i rregullave të komunikacionit nga të rriturit, ka ndikim të madh në zhvillimin e kulturës së komunikacionit të fëmijës si pjesëmarrës në komunikacion. Bëhuni shembull pozitiv për fëmijët në komunikacion dhe kështu mbroni fëmijët nga lëndimet dhe humbjet në komunikacion, tani dhe në të ardhmen.
Karakteristikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është se shumica e pjesëmarrësve në komunikacion janë të bashkuar në qëndrimin se kultura dhe etika e komunikacionit nuk janë në nivelin e duhur dhe të dëshiruar, por fatkeqësisht pothuajse të gjithë i kërkojnë shkaqet, fajin dhe lëshimet te të tjerët, ndërsa njëkohësisht harrojnë se komunikacioni është sistem i ndërlikuar, një mozaik në të cilin ne të gjithë marrim pjesë.

Pasojat e fatkeqësive në komunikacion janë shumë serioze dhe obligimi ynë i përbashkët, interesi i përgjithshëm dhe i përbashkët i të gjithë qytetarëve, është ngritja e kulturës së komunikacionit në nivel më të lartë. Avancimi i kulturës, etikës dhe tolerancës në komunikacion do të kontribuojë ndjeshëm për komunikacion më të sigurt dhe më të qetë, përkatësisht do të kontribuojë për më pak fatkeqësi komunikacioni, më pak rrëmujë në komunikacion dhe më pak viktima në rrugët urbane dhe ndërurbane.

Kultura e komunikacionit nënkupton sjelljen në komunikacion të udhëhequr nga motoja që:

• Gjithkush ka të drejtë të lëvizë i sigurt në komunikacion dhe secili ka për obligim të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
• Rregullat e komunikacionit vlejnë për të gjithë dhe të gjithë janë të detyruar t’i respektojnë maksimalisht, plotësisht dhe pa kushte.
• Rregullat e komunikacionit ekzistojnë për të na mbrojtur të gjithëve.
• Fëmijët janë pasuria jonë, fëmijët janë e ardhmja jonë! T’i mbrojmë fëmijët nga lëndimet dhe humbjet në komunikacion!

Me rastin e 11 Majit – Ditës së Kulturës në Komunikacion, KRSKRR-ja me thirrje: “Të avancojmë kulturën në komunikacion, t’i ndryshojmë shprehitë e këqija në komunikacion duke filluar secili prej vetes dhe përmes shembullit personal dhe kontributit pozitiv për të mbështetur për komunikacion më të sigurt. Jini të kujdesshëm, të përgjegjshëm, pjesëmarrës kulturorë dhe tolerantë në komunikacion, sot dhe çdo ditë!

#DITAEKULTURËSNËKOMUNIKACION!