Ish zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Magbule Sadri – Shkodra ka dhënë dorëheqje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sadri – Shkodra ka thënë se lajmin për dorëheqje ia ka kumtuar kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lidhur me këtë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se personat të cilët për arsye të ndryshme nuk mund të jenë plotësisht të përkushtuar në partinë që ai drejton janë po lirohen nga përgjegjësitë që kanë.

Përmes një njoftimi për media thuhet se fokusi i AAK-së është i orientuar për zgjedhjet komunale në vend.

“AAK-ja gjatë kësaj kohe, fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet komunale të radhës. Dhjetëra profesionistë të të gjitha fushave, përpos ekspertizës, duke shpërfaqur edhe vullnet për punë, do të garojnë në këto zgjedhje komunale.Organizimi i brendshëm i Aleancës, mbështetet në kuadrot që kanë gatishmëri e vullnet për angazhim. Ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti. Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta”, thuhet në njoftim.