Vazhdon numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Rezultatet paraprake të Komisionit Qendror Zgjedhor tregojnë avantazh të Partisë Socialiste. Ndërkohë që numëruesit vijojnë leximin e verdiktit të popullit, dy partitë më të mëdha pretendojnë fitoren dhe e akuzojnë njëra-tjetrën se tenton ta vonojnë numërimin.

“Ndërkohë që shqiptarët presin përfundimin sa më parë të numërimit dëshirojmë që ti bëjmë miqësisht një apel rivalëve tanë të Partisë Demokratike për të mos e vonuar procesin, duke kërkuar vazhdimisht pushim. Nuk ka kohë për pushim. Qytetarët meritojnë një orë e më tepër ta mësojnë rezultatin. Fitorja e Partisë Socialiste është shumë e qartë tani më”, tha Bora Muzhaqi, Zëdhënëse e fushatës së Partisë Socialiste.

“Ata që e dinë fare mirë, me projeksionet aktuale se çfarë i pret në kutitë tjera filluan lojërat. Janë ata që kanë bllokuar numërimin në Kamëz e në Paskuqan, janë ata që përpiqen të bllokojnë numërimin në Durrës e kudo tjetër. Le të vazhdojnë numërimin sepse vullneti i popullit është në kuti. Ne presim që vota për ndryshim të vazhdojë dhe fitorja e Aleancës për Ndryshim të konfirmohet në gjithë vendin”, pohoi Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike “Aleanca për Ndryshim”.

Paraprakisht fitoren e kishte shpallur edhe shefja e LSI-së, Kryemadhi. Ndërsa kreu i PSD-së, Tom Doshi dorëzoi dorëheqjen e parevokueshme si deputet. Presidenti, Ilir Meta kërkoi që numëruesit të mos ndikohen nga përzgjedhjet e qëllimshme të kutive të numërimit për qëllim të demoralizimit të rivaleve. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi iu apeloi të gjitha partive që t’i zëvendësojnë menjëherë numëruesit e lodhur, në mënyrë që procesi të mos ndërpritet. Ndërsa BE iu kërkoi partive të përmbahen nga entuziazmi.

“Deri sa të numërohet vota e fundit të presim me qetësi dhe të mos dalim në konkluzione pa u numëruar të gjitha votat në vend”, tha Luigi Soreca, Ambasador i BE-së.

Në atmosferë të qetë rreth 49% e qytetarëve me të drejtë vote nga gjithsej 3,6 milion për herë të parë votuan me metodën e identifikimit elektronik. Votimi vijoi pas një fushate të ashpër mes partive rivale politike, gjatë së cilës u vra një aktivist socialist.

Anesa Salihu