Pakoja e pestë e masave antikrizë nuk do të paraqitet para deputetëve nesër. Kuvendi do të vazhdojë seancën e tij të 32-të, ndërsa për dinamikën e mëtejshme të punës do të ketë një koordinim shtesë.

Ky është konkluzioni i takimit të jashtëzakonshëm koordinues të pasditës të kryetarit të Kuvendit ku ishin të pranishëm koordinatorët e Grupeve parlamentare të LSDM-së, BDI-së, VMRO DPMNE-së dhe përfaqësuesi i partisë politike Levica (E Majta).

Xhaferi e caktoi takimin koordinues në drejtim të zhbllokimit të punës së përgjithshme të Kuvendit, përfshirë edhe punën e trupave punues, duke e marrë parasysh se puna e një pjese të trupave amë është bllokuar më shumë se 5 muaj.

Premisa ishte paralajmëruar në deklaratat e të gjithë faktorëve politikë ditëve të kaluara. Koordinuesit e LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së e njoftuan Xhaferin se për cilat pika është arritur pajtim për zhbllokim.

“Kryetari theksoi se nuk guxon të ketë prioretizim të pikave të caktuara sepse liderët e partive politike janë marrë vesh për këtë jashtë Kuvendit, puna e Kuvendit duhet të zhbllokohet në çdo nivel dhe të gjitha partitë politike duhet të braktisin praktikën e mbajtjes peng të procesit të miratimit të ligjeve, mospasjes së kuorumit për shkak të shkaqeve të arsyeshme shëndetësore të deputetëve lidhur me pandeminë e KOVID-19, ose parashtrimin e numrit tejet të madh të amendamenteve për një ligj, duke e ngarkuar edhe shërbimin e Kuvendit e jo vetëm procesin ligjvënës. Ai theksoi se praktika e kushtëzimit nuk shkon në favor të askujt. Kryetari është përgjegjës për respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores, për ruajtjen e dinjitetit të Kuvendit. Kuvendi është institucion shtetëror, duhet të punojë ë atë mënyrë dhe në punë nuk guxon të ketë ultimatume”, theksojnë nga Kabineti i Xhaferit.

Përfundimi i Takimit koordinues është se nesër Kuvendi vazhdon me punë me seancën e 32-të, ndërsa për dinamikën e mëtejme të punës, do të koordinohen në plotësim.