Ish-kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja ka votuar sot në shkollën “Kosova”. Në procesin e votimit pati një vështirësi në njohjen e shenjave të gishtave, ndërsa pasi hodhi votën në kutinë e votimit dhe përshëndeti me dy gishtat lart, Sali Berisha u shpreh i bindur se opozita po shkon drejt fitores.

“Fitorja ka fytyrën dhe bukurinë e kësaj dite të bekuar Ftoj me këtë rast cdo qytetar të këtij vendi të firmosë ditën e sotme, një fitore madhështore për Shqipërinë dhe shqiptarët, të votojë për sakrificat e tij, për familjen, fëmijët, nipërit, mbesat, për emigrantët shqiptarë që një regjim në largim i bllokoi, u shpiku karantinën si një mjet politik për të mos lejuar votimin e tyre.

Të votojnë për të gjithë ata të cilët i thonë lirisë liri dhe Shqipërisë Shqipëri. Deri tani votimi po ecën i sigurt drejt fitores me gjithë përpjekjet, e përpëlitjet anti-ligjore, të pamoralë, fitorja po bëhet cdo sekond dhe minutë më e madhe, më e bukur dhe më e fuqishme” tha ai.